Site icon PrishtinaPress

Osmani: Kur ushtarët e NATO-s shkelën mbi tokën e përgjakur të Kosovës, britmat, lulet e përqafimet u shndërruan në simfoni të lirisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në seancën solemne që po mbahet në nderë të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës tha se më 12 qershor 1999 kur forcat e NATO-s shkelen në tokën e Kosovës, ata nuk ishin vetëm ushtarë, por ishin shpëtimtarë.

Osmani tha se forcat e NATO-s sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk e kishte harruar popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera.

“Liria është më shumë sesa fjalë. Liria është vetë thelbi i qenies sonë. Është ajri që e thithim. Është ëndrra që guxuam ta ëndërrojmë. Është e ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan dhe e dhanë jetën çlirimtarët tanë. Çlirimi i Kosovës në vitin 1999 nuk ishte thjesht një fitore ushtarake dhe një kapitullim i Serbisë Millosheviqiane, por ishte mbi të gjitha triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë. Ishte triumf i të mirës ndaj të keqes dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen”.

“Kur paqeruajtësit e KFOR-it shkelën mbi tokën e Kosovës së përgjakur, të dërmuar, të shkatërruar, atëherë lotët, britmat dhe lulet u shndërruan në përqafime që i pritën ushtarët e NATO-s. Ato krijuan simfoninë e emocioneve të lirisë. Kolonat e makinerisë ushtarake, zhurma e helikopterëve të NATO-s, uniformat me flamuj të shumtë, flamuj që simbolizonin lirinë e jo urrejtjen dhe dhunën”.

“Të gjitha këto u shndërruan në simbol të shpëtimit të popullit të Kosovës nga shfarosja që synonte regjimi gjenocidal i Serbisë, duke e larguar një herë e përgjithmonë makinerinë gjenocidale të Millosheviqit të turpëruar e të kapitulluar. E tillë, ajo mbetet edhe sot”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

E para e shtetit tha se tutje se thirrjet e popullit të Kosovës, persekutimi i pamëshirshëm dhe jetët e panumërta të humbura nga masakrat e tmerrshme, dëbimi me dhunë dhe spastrimi etnik, ishin thirrje për drejtësi që nuk mund të shpërfilleshin më nga ndërgjegjja ndërkombëtare.

“Prandaj në qershor 1999, muret e tiranisë u shembën, duke hapur rrugën jo vetëm për një Kosovë të lirë por edhe të pavarur e demokratike. Atë ditë, afër 38 mijë ushtarë nga 36 vende komunikuan me gjuhën universale të lirisë. Atë ditë, siç thoshte filozofi dhe shkrimtari francez Glyksman, Evropa lindi në një Prishtinë të lirë. E sot mund të themi se Evropa lindi në një Kosovë të lirë”.

“Andaj, në këtë ditë, do ta kujtojmë përherë rezistencën këmbëngulëse të presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova për liri, pavarësi dhe demokraci si dhe aleancat e fuqishme që ai ndërtoi bashkë me shumë e shumë veprimtarë të tjerë, të cilat i gëzojmë edhe sot. Do ta kujtojmë cdo ditë të jetës sonë por edhe për brezat që vijnë pas nesh heroizmin e papërsëritshëm e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari të cilët u shndërruan në gurëthemelin e lirisë që e gëzojmë sot”, tha Osmani.

Osmani kujtoi edhe dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbi 13 mijë civilët e vrarë, në mesin e të cilëve 1 mijë e 3133 fëmijë, ku tha se nuk do të harrojnë kurrë dhimbjen e shkaktuar në një prej krimeve më të llahtarshme që njeh cilado luftë, atë të dhunimit si dhe dhimbjen që sipas saj, ende vazhdon për mijëra familje në Kosovë “që akoma s’kanë ku të vendosin lule, sepse varret janë të zbrazëta në kërkim të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”.

“Sot qëndrojmë së bashku në tokën tonë. Në tokën tonë të lirë, duke jetuar me historinë tonë të lavdishme, teksa kujtimet e dhimbshme të luftës, por edhe ndjenja e triumfit të lirisë, janë në zemrën e secilit qytetar të Kosovës”.

“Prania e aleatëve dhe paqeruajtësve ishte një dëshmi e përkushtimit të botës ndaj drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Secili nga ta rrezikoi jetën duke lënë pas familjen dhe shtëpinë, për të qëndruar me ne dhe me çlirimtarët tanë e me çdo qytetar të Kosovës, në luftën tonë kundër shfarosjes”.

“Në Kosovë, kërkimi për liri ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshëm. Në fakt ishte shekullor. Jemi përballur me vështirësi e vuajtje, por gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi qëndruar të palëkundur se liria ia vlen me çdo sakrificë”, tha Osmani .

Tutje, Osmani sot kërkoi edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke thënë se FSK-ja, me profesionalizimin e saj është e gatshme që të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob.

“NATO në vitin 1999 na dha mbështetjen përfundimtare për lirinë tonë, ndaj sot ne synojmë dhe e meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë, me ushtrinë tonë e cila me profesionalizimin e saj është e gatshme që të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob”.

“Dua ta përfundojë me një citat të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, me fjalët që ai tha para pak muajsh kur i ndava medaljen presidenciale. Citoj: Vetë mbledhja jonë në këtë sallë, nga shqiptarë e miq të të gjitha zonave, e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf, asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin dhe për të ardhmen e një populli. Prandaj, populli i Kosovës asnjëherë dhe me asnjë çmim nuk do të heq dorë nga triumfi i liri”, tha ajo.

Exit mobile version