Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ua ka rikujtuar të gjithë atyre që, sipas saj, po çuditen se pse PDK-ja nuk po e respekton marrëveshjen e koalicionit, duke cituar një pjesë të një fjalimi të saj në Këshillin e Përgjithshëm (nëntor 2014), ku diskutohej mundësia e lidhjes së koalicionit me PDK-në.
Ajo thotë se ashtu siç PDK-ja ka bërë gjatë viteve 2007-2010, të njëjtët çdo ditë do të kërcënojnë me prishje të koalicionit.
“Zanzibari, të nderuar anëtarë, nuk ka ndodhur vetëm një herë. Ai ka ndodhur gati çdo ditë gjatë qeverisjes PDK-LDK gjatë viteve 2007-2010. LDK nuk ka nevojë që sërish t’i nënshtrohet përuljes së tillë”, thotë ajo.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit:
Për ata që po çuditen pse PDK nuk po e respekton marrëveshjen e koalicionit, ja një përkujtim i vockël- pjesë nga fjalimi im në Këshillin e Përgjithshëm (Nentor 2014) ku diskutohej mundësia e lidhjes së koalicionit me PDK. Ata që sot po ankohen e përulen pse PDK nuk po i respektoka marrëveshjet (PËR QUDI!!!), atë ditë bërtitnin e shanin derisa unë i lexoja këta rreshta:
“Nëse ky Këshill vendosë që të jepet drita e gjelbër për të hyrë në negociata pa vija të kuqe, pra duke lejuar edhe negociata me PDK-në, dhe nëse ky koalicion arrihet, atëherë të jemi të vetëdijshëm që po lidhet marrëveshje me një PARTI E CILA PARIM JETIK TË SAJ E KA MOSRESPEKTIMIN E MARRËVESHJEVE. Poashtu, ashtu sic ka bërë gjatë viteve 2007-2010, PDK cdo ditë do të kërcënojë me prishje të koalicionit. Zanzibari, të nderuar anëtarë, nuk ka ndodhur vetëm njëherë. Ai ka ndodhur gati cdo ditë gjatë qeverisjes PDK-LDK gjatë viteve 2007-2010. LDK nuk ka nevoje që sërish t’i nënshtrohet përuljes së tillë.”