Site icon PrishtinaPress

Osmani: Kosova është në një moment të përcaktimit të së ardhmes energjetike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të zyrtarëve e bizneseve të ndryshme amerikane (Partnership Opportunity Delegation-POD) të organizuar nga Zyra e Partneriteteve Globale e Departamentit amerikan të Shtetit.
Në takim me delegacionin e lartë amerikan, presidentja Osmani ka biseduar mbi potencialin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, si dhe fuqinë e re e të kualifikuar punëtore.

Nisur nga interesimi i kompanive për zhvillimet në sektorin e energjisë, presidentja Osmani foli për faktin që Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike dhe foli për fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit. Ajo potencoi rëndësinë e diversifikimit, si dhe integrimit masiv të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.

Tutje, në takim u bisedua edhe për mundësitë e shumta për projekte, të cilat janë në interes të përbashkët e gjeostrategjik për Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara. Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka folur mbi aleancën e fortë me Shtetet e Bashkuara, të bazuar në vlera të përbashkëta.

Presidentja ka theksuar se përqendrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, progresi i cili njihet edhe ndërkombëtarësisht, është indikacion i përkushtimit të palëkundur për rritje të qëndrueshme ekonomike, si dhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Sipas komunikatës së Presidencës, POD-të janë një nismë që kanë për qëllim nxitjen e bashkëpunimit më të thellë midis Shteteve të Bashkuara, vendeve me rëndësi strategjike, si dhe sektorit privat. Kjo nismë eksploron një gamë të gjerë partneritetesh të mundshme për të bashkëpunuar në projekte specifike që avancojnë prioritetet e politikave të përbashkëta.

Exit mobile version