1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Osmani: Kosova e Serbia t’i shfrytëzojnë momentet e gjeopolitike për t’i mbyllë temat e mëdha

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryesues i radhës i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Bujar Osmani, u bëri thirrje të premten Kosovës dhe Serbisë të zgjidhin sa më parë mosmarrëveshjet në një kohë kur bota po përballet me ndryshime gjeopolitike.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi Kosova dhe Serbia zhvilluan takime në Bruksel me të dërguarin e posaçëm për bisedimet, Miroslav Lajcak, pas të cilëve palët nuk qenë në gjendje të raportojnë ndonjë përparim.

“Ne inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë përpjekjet për të mbyllur temat e mëdha në rajon për shkak se zhvillimi i gjeopolitikës në përgjithësi nuk shkon në favor të vendeve të rajonit. Prandaj, ky do të ishte mesazhi im edhe si kryesues i OSBE-së, edhe si ministër i një vendi anëtar të NATO-s, një vend që negocion me Bashkimin Evropian, që t’i inkurajoj,pra palët të shfrytëzojnë këto momente të rëndësishme gjeopolitike”, tha zoti Osmani.

Takimet së enjtes pasuan shtimin e përpjekjeve perëndimore për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës.

Sulmi nga një grup serbësh të armatosur kundër policisë së Kosovës më 24 shtator, që është cilësuar si përshkallëzimi më i rëndë në marrëdhëniet Kosovë Serbi i viteve të fundit, ka shtuar shqetësimet për qëndrueshmërinë në rajon mes frikës se Rusia mund të përdorë Beogradin për të nxitur konflikte etnike në Ballkan, për të tërhequr vëmendjen e botës nga agresioni i saj në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të enjten se ka informacione që Rusia mund të përpiqet të nxis një konflikt në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur rreth këtij shqetësimi, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha të premten se blloku është i ndërgjegjshëm se Rusia po përpiqet të bëjë krejt cfarë është e mundur për të shfrytëzuar paqëndrueshmërinë politike për të rritur ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit.

“Ne i mbikëqyrim këto veprimtari të Rusisë tashmë për një kohë dhe e dimë se çfarë po përpiqet të bëjë Rusia. Prandaj po punojmë shumë me partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor për t’i përgatitur ata që të përballen me to. Kjo është edhe një nga çështjet e ngritura të hënën gjatë diskutimeve ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Stano.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall më 2008 me mbështetjen e fuqive perëndimore dhe ndonëse synon integrimet evropiane, ruan lidhje të ngushta me Moskën, duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë./VOA/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img