Site icon PrishtinaPress

Osmani ia prezanton Costës dëshmitë për lidhjet e Serbisë me sulmin në Ibër-Lepenc

Presidentja Vjosa Osmani ia ka prezantuar presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dëshmitë për lidhjet e Serbisë me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media të Presidencës së Kosovës, Osmani e Costa janë takuar në Bruksel në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Sipas Osmanit, lënia në liri e terroristit Milan Radoiçiq në Serbi, është dëshmi që shteti serb nuk është i gatshëm për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.

“Ajo prezantoi para Presidentit Costa dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar, i cili ishte akt agresioni ndaj Kosovës. Ajo shtoi se kryeterroristi që kishte zbatuar urdhërat e Beogradit zyrtar për sulme ndaj Kosovës, pra Radojqiç, akoma është i lirë dhe kjo dëshmon mungesën e gatishmërisë së Serbisë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Presidentja po ashtu ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës.

Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me ndërkombëtarët për hetimin e aktit terrorist. Ka falënderuar partnerët për solidaritet dhe ndihmë, tek ka thënë se me rëndësi është që të ketë fokus edhe në parandalim të sulmeve të reja.

Exit mobile version