Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka sulmuar ashpër kryetarin e ish-partisë së saj (LDK), Isa Mustafën, duke thënë se “gjithçka mund të gjesh tek Isa Mustafa si tipar: mashtrimin, devijimin, ndryshimin e qëndrimeve sa hap e mbyllë sytë, tregtinë me parime etj, por nuk mund të gjesh asnjë pikë njerëzillëku”.
Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “I kam besuar, siç i beson dikush prindit të vet, si në vitin 2014, poashtu më 2019, kur më premtonte çdo ditë se nuk do ta braktisë rrugën që e nisëm bashkë dhe ata të cilët vet Mustafa i cilësonte “banda mafioze”, do t’i largojmë nga udhëheqja e shtetit”.
“Lëre që e braktisi këtë rrugë, por tani po dëshmohet si shërbëtori më i denjë i po këtyre kastave që vet i cilësonte “banda mafioze”. Madje si recidivist…E tash, edhe duke tentuar të fitojë pikë te këto “banda mafioze”, duke më sulmuar mua”, ka shkruar Osmani, përcjell Telegrafi.
“Unë mund të kem bërë gabime në rrugën time politike. por asnjëherë me qëllimin që ta shkelë interesin qytetarë. Megjithatë, gabimi më i madh në jetën time është që i besova Isa Mustafës. Madje këtë gabim e bëra për herë të dytë, me shpresën se ai nuk do të kthehej përsëri tek idhujt e tij politik në PDK & Co”.
Më tej ajo ka thënë se “ai [Mustafa], jo vetëm që e keqpërdori këtë besim por tani vazhdon me sulme banale e të pavërteta kundër meje pikërisht për ta arsyetuar koalicionin me PDK-në për të cilin ai po punon ditë e natë”.
“Humbësi i shumëfishtë i zgjedhjeve tani më paska akuzuar mua për humbje të zgjedhjeve. Por, ai e di shumë mirë se mua më ofruan të kandidojë për Kryeministre për shkak se ai dhe të tjerët (me një përjashtim) NUK GUXUAN të dalin e të përballen në zgjedhje me Kurtin”.
“Unë, lëre që e pata guximin, por i solla LDK-së rezultatin më të mirë në 15 vitet e fundit. Recidivisti, në peak-un e fushatës zgjedhore, dilte në intervista duke thënë që nuk është penduar që e ka zgjedhur Thaçin President, duke rrënuar çdo kala, të cilën unë me kolegë e ndërtonim në çdo lagje e çdo fshat duke rikthyer besimin për LDK-në të shkelur rrënjësisht nga Mustafa & Co”, ka shkruar Osmani.
“Por, meqë sipas tyre unë ua paskam humbur zgjedhjet (me dallim 1%), le të urdhërojnë tash e të dalin para qytetarëve pa mua (meqë më përjashtuan) e le të fitojnë! Çka po i ndalë tash?! Le të dalin e le të kërkojnë votë për atë që vërtetë përfaqësojnë: patericë e kapësve të shtetit!”, thotë Osmani
“Për fund, i kërkoj falje nga thellësia e zemrës të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilëve ju kam kërkuar votën me besimin e thellë se LDK-ja e Mustafës nuk do të shndërrohet në mashtruese recidiviste!”, ka shkruar Osmani.
Reagimi i Osmanit vjen, pasi kreu i LDK-së në një intervistë për Gazetën Express, duke u dhënë përgjigje të gjitha kritikave të Vjosa Osmanit, ka theksuar se s’është përdhosur vullneti i 6 tetorit por vetëm i atyre që morën besimin e LDK-së dhe punuan për parti të tjera të cilat janë dëshmuar se janë kundër frymës rugoviane.
“Nuk është përdhosur vullneti i qytetarëve i 6 tetorit të vitit të kaluar, por është përdhosur vullneti i atyre që kanë garuar dhe janë mbështetur nga LDK-ja, kurse kanë mbajtur dhe mbajnë anën e partive tjera, që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në dhe me frymën rugoviane por po dëshmohen se janë e kundërta e kësaj fryme”, ka thënë Mustafa.
Ish-kryeministri ka thënë se Vjosa Osmani gjatë fushatës ka kopjuar Albin Kurtin dhe ia ka humbur LDK-së zgjedhjet, meqë në hyrje të fushatës zgjedhore, LDK-ja ka qenë 6 % para Lëvizjes Vetëvendosje.
Mustafa thotë se duke parë një gjë të tillë, qytetarët kishin vendosur të përkrahin origjinalin e një politike të tillë, Albin Kurtin, dhe jo Vjosa Osmanin si kopje.