1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Osmani fton qytetarët në veri të dalin në votime: Institucionet po bëjnë gjithçka që siguria të jetë e garantuar

Një ditë para zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka dalë me një deklaratë, përmes së cilës qytetarëve atje u bën thirrje për të dalë në votime, pasi përmes votës qytetarët vendosin për të ardhmen e komunës dhe për t’i mbajtur përgjegjës zyrtarët e zgjedhur.

Në këtë deklaratë, një ditë para zgjedhjeve, e para e shtetit thekson se e kupton që shumë prej qytetarëve në atë pjesë të vendit kanë qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’i detyrojnë të heqin dorë nga zëri për të ardhmen e komunave, megjithatë siguron se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar.

Lexoni të plotë deklaratën e presidentes Osmani për zgjedhjet komunale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit

Të nderuar bashkëqytetarë të komunës së Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit,

Zgjedhjet janë gurthemeli i secilës demokraci dhe dita e zgjedhjeve është ditë kur zëri juaj dëgjohet nga të gjithë. Andaj, zgjedhjet e 23 prillit janë moment i rëndësishëm për ju dhe për të ardhmen e komunave tuaja.

E drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë dhe ligje, ndaj atë e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Komunat kanë përgjegjësi të qëndrojnë afër qytetarëve, duke ofruar shërbime e projekte të cilat janë në interesin tuaj dhe të cilat zgjidhin problemet me të cilat përballeni çdo ditë.

Andaj, nëpërmjet votës suaj ju siguroheni që përfaqësuesit tuaj të zgjedhur do të merren drejtpërsëdrejti me çështje që prekin jetën tuaj dhe krijojnë perspektivë për të gjithë ju. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje do të thotë jetë më të mirë për të gjithë ju. Prandaj shfrytëzojeni këtë të drejtë në këtë moment të rëndësishëm për demokracinë. Vota juaj është mjeti më i fuqishëm për të vendosur për të ardhmen e komunës suaj dhe për t’i mbajtur përgjegjës zyrtarët e zgjedhur.

E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar.

Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023.

Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës.

Institucionet e Kosovës do të jenë gjithnjë dhe çdoherë në shërbimin tuaj. Siguria dhe perspektiva juaj është prioritet i të gjitha institucioneve të Kosovës.

Suksese në zgjedhjet e 23 prillit!.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img