Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut me Serbinë, por që sipas saj është gabim serioz që në këtë dialog po hapen çështje tashmë të mbyllura dhe po diskutohen çështje të rregullimit të brendshëm që tashmë janë shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Kështu tha Osmani gjatë takimit të saj me përfaqësuesin special të Norvegjisë, Arne Sannes Bjornstad me të cilin diskutoi edhe rreth bashkëpunimit ndërparlamentar dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.
Përmes një komunikatë për medie, është bërë e ditur se në këtë takim theks u veçantë është vënë mbi zhvillimet aktuale politike në vend, veçanërisht në procesin e dialogut.
Osmani gjatë takimit ka potencuar si të domosdoshme nevojën për transparence të plotë përgjatë tërë procesit të dialogut e sidomos respektimin e zotimeve të dhëna para Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës.
Sipas Kryetares Osmani, nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut, mirëpo, është gabim serioz që po hapen çështje tashmë të mbyllura ndër vite si dhe po diskutohen çështje të rregullimit të brendshëm që tashmë janë shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në vend.
“Në këtë drejtim, Osmani theksoi që ”Legjitimiteti, përgatitja, përvoja dhe arritja e unitetit politik janë formula e vetme për sukses në dialog””, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, të dy palët gjatë takimit u dakorduan që është tejet e rëndësishme që tërë procesi i dialogut të kalojë përmes Kuvendit dhe të sigurohet që Kuvendi të ketë rol aktiv.
“Ata gjithashtu diskutuan për efektet e menjëhershme pozitive pas hyrjes ne fuqi të Ligjit për parandalimin luftimin e pandemisë COVID-19, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësim të situatës dhe rrjedhimisht duke zvogëluar numrin e rasteve të infektuara”, thuhet në komunikatë.