Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar që drafti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të përgatitet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas saj ky draft duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me letrën e Mogherinit, dhe në përputhje me qëndrimin amerikan që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive.
“Mendoj që zgjidhja është të ulemi me ShBA-në të përgatisim draftin tonë, të Kosovës. Fillimisht me ShBA, mendoj kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në ShBA, të prezantojmë para sekretarit të shtetit amerikan, draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën, me vendimin e Kushtetueses, me letrën e Mogherinit, dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan, nga Chollet dhe Escobar, që sqarojnë se një trup e tillë duhet të jetë koordinuese, pa kompetenca ekzekutive, si e tillë nuk do ta rrezikonte funksionalitetin e brendshëm”, ka thënë ajo në RTK.
Osmani theksoi se nuk sheh sukses në bisedime nëse nuk përfshihet direkt ShBA-ja.
“Nuk shoh sukses pa involvimin e ShBA-së në proces, këtë e dëshmon historia”, tha ajo.