Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se ka një unitet ndërmjet Presidencës dhe Qeverisë, që çështja e sigurisë së Kosovës dhe çështja e përgjegjësisë së Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit të trajtohen si çështje urgjente.
E para e shtetit ka deklaruar se këto dy çështje janë urgjente dhe të domosdoshme për të parandaluar aktet e agresionit në të ardhmen, teksa ka thënë se dialogu në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ridizajnohet pas ngjarjeve të ndodhura më 24 shtator.
“Kemi dakordim të plotë që një gjë e tillë të kërkohet nga të gjithë akterët ndërkombëtarë. Dhe në fakt për këtë ne kemi një mirëkuptim. E dyta i gjithë procesi i dialogut duhet të ridizajnohet, nëse mund ta quaj kështu, në atë mënyrë që merret parasysh 24 shtatori. Nëse injorohet 24 shtatori, e injorohet shkelja e nenit 3 të marrëveshjes, që kërkon që asnjëra palë të mos e përdorë dhunën si mjet apo të kryej akte agresioni kundër tjetrës, atëherë vërtetë dëmi më i madh i bëhet vetë procesit të dialogut. Dëmi më i madh i bëhet edhe paqes e stabilitetit në rajon, pasi është ftesë e hapur për Serbinë që ta sulmojë Kosovën përsëri”, ka thënë Osmani në një intervistë për KTV.
Duke folur për deklaratën e sotme të presidentit francez, Emanuel Macron në Tiranë, për pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën, ajo ka thënë se tashmë kjo gjë u qartësua dhe se ishte një dallim në përkthim.
“Është sqaruar tashmë. Drejtpërdrejtë na kanë njoftuar institucionet franceze, por edhe nga deklaratat e shumta, se ka qenë një lloj dallimi në përkthim. Ky proces nuk është pezulluar dhe ligjërisht s’mund të pezullohet nga një shtet. Jam e bindur se çfarëdo lloj qartësimi që kërkon presidenti Macron e institucionet franceze mund t’u japim ndërkohë dhe të heqim ndonjë lloj hezitimi që ata mund ta kenë. Por, procesi vazhdon e ky vendim hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024”, ka deklaruar Osmani.