Site icon PrishtinaPress

Osmani dhe Kurti premtojnë angazhim në parandalimin e dhunës në familje dhe në baza gjinore

Nisma për fuqizim ekonomik dhe banimin social të viktimave të dhunës në familje dhe baza gjinore i bëri bashkë të martën, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. 

Dy krerët institucional premtuan angazhim konkret për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave, madje për viktimat e dhunës në familje u tha se do të zhvillohet plani i banimit social trevjeçar për vitet 2022-2024. Megjithatë u konsideruan alarmante rastet e dhunës në familje gjatë vitit 2021.

Në tryezën e OSBE-së, presidentja Osmani tha se dhuna në familje është një pandemi nën hije dhe duhet veprim i përbashkët kundër kësaj dukurie.

“Realiteti është ky, siguria e grave nuk është e garantuar as brenda mureve të shtëpisë së tyre. Ky fakt është konfirmuar edhe këto dy vitet e fundit kur bota po përballet me pandeminë dhe kur dhuna mbi bazën gjinore ka marrë hov. Tashmë dihet se në nivel global dhuna mbi bazën gjinore i ka arritur majat. Prandaj me të drejtë po i referohemi si një pandemi nën hije, por ne nuk duhet të heshtim dhe as të vëzhgojmë kundrejt një situate të tillë. Jo vetëm reagim, por kemi nevojë veprim të përbashkët pa dallim kundër kësaj të keqe. Heshtja dhe mosveprimi kundrejt një fenomeni të tillë na bënë bashkëpunëtorë në këtë padrejtësi. Në këtë angazhim asnjëherë nuk mjaftojnë fjalët, duhet yë veprojmë konkretisht. Kemi nevojë për ndjekje të protokolleve strikte të shpëtimit, rehabilitimit dhe fuqizimit ekonomik të të mbijetuarave të dhunës mbi baza gjinore”, tha ajo.

Miratimin e strategjisë kombëtare dhe planin e veprimit për dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, kryeministri Albin Kurti e konsideroi si hap thelbësor të parandalimit dhe adresimit të drejtë të dhunës në familje.

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe barabartë, jetojnë pa frikën dhe kërcënimin e dhunës në familje apo dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna. Të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima si dhe të vendoset kryesi para përgjegjësisë. Ky është vizioni në themel të strategjisë kombëtare për mbrojtje në familje dhe dhuna ndaj grave që do të drejtojë punën tonë të përbashkët nga vitit 2022 deri në vitin 2026. Javën e kaluar miratuam strategjinë kombëtare dhe planin e veprimit, kjo përbënë një hap thelbësor përpara të parandalimit dhe adresimit të drejtë të fenomenit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore. Kjo strategji është një nga nismat e vizionit të Qeverisë sonë që asnjë grua të mos jetojë me frikën e dhunës dhe çdo vajzë të rritet duke e ditur që është e sigurt… Për mirëqenie dhe për barazi, banimi social është infrastrukturë kritike, funksioni i së cilës shkon përtej strehimit dhe banimit të përballueshëm. Në këtë kontekst do të kemi qasje progresiste duke mos lënë askënd jashtë, do të sigurojmë banim të dinjitetshëm për të gjithë. Për viktimat e dhunës në familje do të zhvillojmë planin e banimit social trevjeçar për vitet 2022-2024 me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, si institucioni që udhëheq dhe komunat si mbështetës”, shtoi ai.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se vetëm në vitin 2021 janë 2500 raste të raportuara për dhunën në familje.

“Vetëm në vitin 2021 kemi 2500 raste që janë raportuar, nga të cilat shtatë përfunduan me fatalitet dhe mbi 600 viktima të dhunës në familje kërkuan strehim. Nga ky numër i lartë i raportimit 90 përqind janë gra e vajza”, tha ajo.

I mahnitur karshi përkushtimit të institucioneve për të trajtuar këtë çështje u shpreh shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

“Jam mahnitur me përkushtimin dhe zotimin tuaj për të trajtuar këtë çështje së bashku, por edhe për vizionin që e keni shprehur privatisht dhe publikisht. Është e qartë se trajtimi i dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje vërtet kërkon legjislacion të ri dhe OSBE është duke e mbështetur këtë përpjekje të Qeverisë dhe Kuvendit në këtë drejtim… Sipas një ankete të OSBE-së për mirëqenien dhe sigurinë e grave në Kosovë të organizuar para pandemisë, 40 përqind të grave kanë deklaruar se kanë pësuar një sjellje kontrolluese nga partnerët, 12 përqind kanë deklaruar se kanë pësuar dhunë ekonomike”, deklaroi ai.

Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Toms Szunyog, tha se fuqizimi ekonomik i grave në Kosovë është ende sfidues.

“Në Kosovë fuqizimi ekonomik i gruas është ende sfidues. Një numër i madh i grave nuk zotërojnë prona dhe nuk mund të përfitojnë nga trashëgimia. Gratë jetojnë në shtëpi të burrit dhe ato kanë përgjegjësi për punët shtëpiake dhe përkujdesen ndaj fëmijëve dhe të moshuarve. Gratë, madje edhe ato të edukuara kanë më pak mundësi të punësimit”, tha ai.

Përkrahje për të parandaluar dhunën në familje dhe baza gjinore iu kërkua edhe kryetarëve të komunave në nivel lokal./kp

Exit mobile version