Site icon PrishtinaPress

Osmani dënon kërcënimet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës: Kjo fushatë duhet ndalur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me kampanjën denigruese që po bëhet në rrjetet sociale ndaj qytetarëve të komunitetit serb që diplomuan dhe nisën punën në Policinë e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Osmani u ka dhënë mbështetje policëve të rinj të cilët janë nën kërcënim pas marrjes së pozitës në veri të vendit.

“I dënoj kërcënimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës nga ana e Serbisë dhe grupeve të saj kriminale. Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët duhet të sillen para drejtësisë. Jemi me oficerët tanë policorë derisa ata shërbejnë me guxim për një Kosovë të sigurt për të gjithë”, shkroi ajo.

45 policë të komunitetit serb kanë nisur punën tashmë në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Këta zyrtarë të rinj policorë u ishin nënshtruar procedurave të konkursit e Akademisë Policore për të marrë këto pozita, të cilat do t’i ushtrojnë tash e tutje.

 

 

74 policë të rinj nga komunitetet në Kosovë kanë filluar punën në veri të Kosovës dje, gjersa prej tyre 45 janë nga komuniteti serbë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani tha dje se pjesëtarët e rinj të policisë janë në fazën e trajnimit të tyre.

“74 policë të rinj nga komunitetet kanë ardh në veri, prej tyre 45 janë nga komuniteti serbë. Ndërsa të tjerët janë nga komunitetet tjera, romë, ashkali, egjiptas, boshnjak, turq. Për momentin është faza e trajnimit të tyre të brendshëm, e trajnimi i tyre përfshin patrullë, trafik, hetime, etj”, ka thënë ai.

Kujtojmë se përfaqësuesit e Listës Serbe, më 5 nëntor, në takimin me përfaqësuesit serbë të institucioneve të Kosovës, kishin vendosur për bojkotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Përveç zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Exit mobile version