Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe spitalin “Dr.Josip Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit.
Në një njoftim nga Presidenca, bëhet e ditur se Presidentja Osmani e ka dekoruar Kryeministrin kroat me motivacionin për kujdesin, shpejtësinë e reagimit dhe solidaritetin e shtetit kroat, në rastin e aksidentit të 25 korrikut të këtij viti, ku mbetën të vdekur 10 kosovarë dhe u lënduan 26 të tjerë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilin e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale “Shën Tereza”, me motivacionin për kujdesin, shpejtësinë e reagimit, solidaritetin dhe humanizmin e shtetit kroat në rastin e aksidentit tragjik të 25 korrikut të këtij viti në afërsi të Sllavonski Brodit, kur humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës dhe u lënduan 26 të tjerë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se me të njëjtën medalje, Presidentja Osmani ka dekoruar edhe Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Josip Benčević” të Sllavonski Brodit për humanizmin, përkushtimin dhe profesionalizimin e dëshmuar në trajtimin e të aksidentuarve.
“Ndërkaq duke folur për situatën aktuale politikë në Kosovë e më gjerë, Presidentja Osmani ka përmendur rrezikun e destabilizimit të rajonit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentë të tyre në Serbi. Sipas Presidentes Osmani, dialogu më Serbinë duhet të marrë fund me njohjen e ndërsjellë, teksa ka hedhur poshtë çfarëdo ideje, e cila synon trajtim jo të barabartë të Kosovës në kontekstin rajonal”, thuhet në njoftim.