Site icon PrishtinaPress

Osmani: Agimi i ri për Kosovën e Ukrainën është anëtarësimi në BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbyllur fjalimin e saj në Parlamentin Evropian duke thënë se për Ukrainën dhe për Kosovën, agimi i ri duhet të jetë në Bashkimin Evropian.

Ajo ka thënë se Ukrina dhe Kosova ndajnë një histori pikëllimi, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në Evropë.

“Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë. Zgjodha të flas për vlerat e BE-së, sepse janë këto vlera që shërbejnë si busullë morale e jona dhe na udhëheqin ne dhe njerëzit tanë drejt majave më të larta të arritjeve njerëzore. Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane.”, tha Osmani.

Si dëshmi për këtë, Osmani tha se janë ngjyrat e përbashkëta të flamujve, e kaltërta dhe e verdha.

“Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha. Dy ngjyra që tregojnë një histori. Qielli blu dhe dielli i verdhë. Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri. Për Ukrainën dhe për Kosovën, ai agim i ri është një paqe e drejtë dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për Evropën, është forca e shtuar nga aleancat e reja dhe uniteti. E kaltra dhe e verdha, ngjyrat e Kosovës, ngjyrat e Ukrainës, ngjyrat e Evropës, ngjyrat e lirisë”, tha Osmani.

Exit mobile version