Site icon PrishtinaPress

Osmani: 14 prilli do të jetë Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ka takuar deputeten Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ndërsa pas takimit u vendos që 14 prilli të jetë Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se 14 prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjeshtë një ditë e zakonshme, por, për Vasfije Krasniqin mbetet përherë data kur jeta e saj ndryshoi përgjithmonë, pasi atë ditë të vitit 1999 ajo u rrëmbye me forcë dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe.

Lexoni të plotë postimin e Osmanit:

“14 prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjeshtë një ditë e zakonshme. Por, për Vasfije Krasniqin mbetet përherë data kur jeta e saj ndryshoi përgjithmonë. Atë ditë të vitit 1999 ajo u rrëmbye me forcë dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe. Në këtë ditë, barra e luftës për të ka marrë kuptim tjetër, sepse u shtua aq shumë në peshë e u bë përjetësisht e pashlyeshme.

Barrën që e bartë Vasfija, sot e mbijetuar e dhunës seksuale në luftë, nuk guxojmë kurrsesi të lejojmë ta bartë e vetme, sepse kjo është plotësisht e padrejtë dhe e papranueshme. Ashtu siç e ndau ajo guximshëm dhimbjen, guximin e të vërtetën me ne e me gjithë botën, po ashtu duhet të luftojmë ne krah për krah me të dhe shumë gra e burra të tjerë si ajo, për të treguar të vërtetën e për të kërkuar drejtësi.

Por siç Vasfija ia doli të jetojë, të mbijetojë, të triumfojë, shembulli e guximi i saj le të na shërbejnë si udhërrëfyes në kërkimin për drejtësi e në komunikimin me të tjerët për këtë pjesë të historisë sonë. Vasfija nuk është e vetme – as në këtë përjetim, por as edhe në rrugëtimin që ka marrë për sjelljen e drejtësisë. Ajo është sot zëri i më shumë se 20000 të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovën tonë.

Sot përveç̧ që diskutuam se duhet të vazhdojmë̈ të flasim gjithnjë e më zëshëm për krimet e kryera nga Serbia e që ende po i mohon, u pajtuam që 14 prilli nga sot e tutje, nën patrionatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, të shënohët si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Po ashtu, i premtova që në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të angazhohemi për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucional për ta shndërruar datën 14 prill në një ditë të shënuar edhe me ligj.

Exit mobile version