Site icon PrishtinaPress

OSBE sqaron deklaratën “bombë” të ambasadorit: Ja kur i bëri Shqipëria lekët nga kanabisi!

Një deklaratë mjaft e fortë ishte ajo e ambasadorit të OSBE-së në vendin tonë, Bernd Borchardt, dhënë mbrëmë në Ora News.

“Qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista. Pra ekziston risku se këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”, tha ai duke ju referuar fitimeve nga kultivimi i kanabisit në Shqipëri.

Kjo deklaratë u ‘përkthye’ menjëherë si fitore nga ana e liderit të opozitës Lulzim Basha, i cili tha sot se u faktuan më në fund shqetësimet prej mëse tre vitesh që PD-ja ka ngritur për vjedhjen e votave.

Por në faqen zyrtare të OSBE-së në Twitter, vjen një sqarim: 2 miliardë euro kanë qarkulluar gjatë vitit 2013. OSBE vlerëson punën që qeveria ka bërë në luftën ndaj kanabisit, dhe bën apel të gjithë forcave politike që paratë e pista të 2013-ës, të qëndrojnë jashtë zgjedhjeve të 2017-ës.

“OSBE në Shqipëri mirëpret qëndrimet e forta të qeverisë dhe opozitës kundër kanabisit. Ka një plan veprimi të mirë kundër kanabisit, nevojitet zbatimi i fortë i tij”, shkruhet në faqen zyrtare në Twitter, të cilën OSBE e ka shoqëruar edhe me disa fakte.

2013: 1,000 ton kanabis, vlera e tregut në euro rreth 2 miliard

2016: 2.5 milion bimë kanabis janë shkatërruar = më shumë se 1,000 ton marijuanë = sukses i mirë. Por ende shumë sekuestrime në Shqipër dhe përtej

2017: OSBE i fton të gjitha partitë të punonjë së bashku për të mbajtur 2 miliard euro nga kanabisi i 2013-ës jashtë zgjedhjeve dhe fushatës

 

Për sqarimin e OSBE-së ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i cili thekson faktin se këto para kanë qenë në kohën e qeverisë “Berisha”

“Për ata që mezi pritën të hidhnin prapë baltë, sqarimi shumë i qartë: 2 miliardë EU drogë ishin në kohën e Saliut. Sot sukses shkatërrimi”, – shkruan në Twitter ministri Tahiri.

Ndërkohë, referuar deklaratës së Bashës, Tahiri shkruan: “Mëshirë për Lulzim Bashën dhe faleminderit për OSCE për sqarimin mbi “përkthimin e gabuar” të radhës”.

Exit mobile version