Site icon PrishtinaPress

OSBE për udhëzimin administrativ: Shumicën e komenteve që i kemi dhënë, janë të pasqyruara aty

Udhëzimi administrativ për largimin e kryetarëve në komunat veriore, tashmë është hartuar. Nga misioni i OSBE’së në Kosovë, në një përgjigje për Gazetën Express, kanë thënë se shumica e komenteve që ata kanë dhënë, janë të pasqyruara në udhëzim. Në anën tjetër nga njohës të çështjeve juridike është konstatuar se ky udhëzim administrativ nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe se është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dje ka publikuar versionin final të udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Ky udhëzim administrativ nisi si opsion favorit i krerëve të shtetit për shpalljen e zgjedhjeve të reja, mirëpo më pas ministri Krasniqi tha se i njëjti do të vlejë edhe për të gjitha komunat.

Krasniqi ka shkruar se ky udhëzim administrativ ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

Për këtë temë, misioni i OSBE’së në Kosovë i tha Gazetës Express se kanë marrë pjesë në dy takime të organizuara nga MAPL.

Nga OSBE thanë se kanë dhënë komente gjithëpërfshirëse, “shumica e të cilave janë të pasqyruara në Udhëzimin Administrativ”.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë, së bashku me misionet e tjera ndërkombëtare, ka marrë pjesë në dy takime të organizuara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në lidhje me këtë temë. Misioni ka dhënë komente gjithëpërfshirëse, shumica e të cilave janë të pasqyruara në Udhëzimin Administrativ”, thuhet në përgjigjen e OSBE’së për Express.

Shefi i OSBE’së në Prishtinë Michael Davenport dje ka takuar Kryeministrin Kurti. Çështja e udhëzimit administrativ dhe zgjedhjet në Veri kanë qenë në agjendën e tyre.

OSBE nuk është përgjigjur nëse do t’i ndihmojë KQZ’së në monitorimin dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Mirëpo për këtë udhëzim administrativ ka pasur kritika nga IKD dhe KDI, si dhe nga ish kryetari i Gjykatës Kushtetueses, Enver Hasani.

Hasani, kur është pyetur se a është ky udhëzim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ka thënë “jo”.

“Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare”, tha thënë Hasani në një intervistë për REL.

Ndërsa dje, drejtori i IKD’së, Ehat Miftaraj, në një prononcim për Gazetën Express tha se në momentin që hyn në fuqi ky udhëzim administrativ,  mund të iniciohet peticioni prej 20 për qind të listave votuese në çdo komunë.

“Në momentin që ky udhëzim administrativ hyn në fuqi atëherë në bazë të këtij udhëzimi dhe në bazë të Ligjit për Vetqeverisje Lokale, mund të iniciohet peticioni prej 20 për qind të votuesve në komunë për shkarkimin e kryetarëve të komunave. Nëse mblidhen20 për qind të nënshkrimeve përmes peticionit, atëherë mund të caktohet ky lloj mini-referendumi ku qytetarët mund të dalin të votojnë shkarkimin e kryetarëve, për çka nevojiten 50 për qind plus një votë”, është shprehur Miftaraj.

Ai deklaroi se udhëzimi administrativ nuk është mënyra e duhur për rrëzimin e kryetarëve të komunave, pasi sipas tij, krijon precedent për shkarkimin e kryetarëve që nuk kanë kryer asnjë shkelje.

“Sidoqoftë, IKD e ka potencuar vazhdimisht që kjo nuk është zgjidhja dhe mënyra e duhur për të larguar katër kryetarët e komunave sepse ndërton një precedent të rrezikshëm për të shkarkuar kryetarë përkundër se të njëjtit nuk kanë kryer asnjë shkelje apo nuk është cenuar integriteti i tyre personal apo profesional, sikurse nënkupton shpenzime të panevojshme të buxhetit kur dihet që qëllimi apo kërkesa e ndërkombëtarëve është që të mbahen zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës. Nëse do të kishte vullnet politik, atëherë kryetarët e këtyre komunave do të dorëhiqeshin dhe për t’i dhënë hapësirë zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar Miftaraj.

Mirëpo, ai shprehet se udhëzimi administrativ nuk e plotëson kornizën ligjore duke thënë se në bazë të një analize paraprake IKD vlerëson që udhëzimi nuk është në harmoni me ligjin dhe kushtetutën.

Ndërkaq, nga KDI disa ditë para publikimit të udhëzimit administrativ nga ministri Krasniqi kanë thënë drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale.

“Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi.”

KDI ka thënë se udhëzimi administrativ, përveç se në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave. /GazetaExpress/

Exit mobile version