1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Origjina e emrit Kosovë, historianët kanë mendime të ndryshme

Historia pjesën e territorit ku është sot Kosova, e njihte me emrin Dardani, si pjesë e një koncepti më të madh, të quajturi “Iliri”.

Shumë më e gjerë se pjesa ku tash shtrihet Kosova, Dardania e dikurshme arrinte deri në Nish në veri, duke ardhur deri në Shkup, në lindje kishte lumenjtë Morava e Varadari kurse në perëndim malet e Autoariatëve.

Mirëpo në shekullin e parë, para erës së re, kjo hapësire gjeografike bie nën sundimin romak, duke e bërë Dardaninë, provincë romake.

Pra kjo trevë ka një histori të begatshme që nga koha antike, mirëpo që me kalimin e kohës, nga ai rajon aq i gjerë, tkurret në kufijtë e një shteti që sot njihet me emrin Kosovë.

Por si rrodhi që nga emri “Dardani” kjo pjesë tanimë, të njihet me emrin “Kosovë”?

A mund të ketë origjinë ilire ky emër?

Një interpretim rreth origjinës ilire e thotë akademiku kroat Josip Rogliç, i cili në shkrimet e tij përmend se emrat gjeografik të Gadishullit Ilir janë të gjuhës ilire, kësisoj termi gjeografik “Kosova” i takon gjuhës së vjetër ilire.

Baza e tij mbështetet në atë se emërtimi ‘’Kosovë’’ haset edhe në disa vende si Dalmaci, Bosnje e Maqedoni Veriore.

“Duhet të them se emrin Kosovë ne si popull autokton nuk e hasim në kohën e Ilirisë dhe Dardanisë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bedri Muhadri.

“Është një fakt historik që ndoshta neve nuk na konvenon. Termin Kosovë e kemi shumë të vonshëm, e hasim vetëm në periudhën mesjetare”, deklaroi Muhamet Mala.

Supozohet se disa autorë e gjeografë, në shekullin e II-të të erës së re kur kishin kaluar nëpër territorin e Ilirisë, përmendin një qyetet me emrin “Kosovë”.

Siç është rasti i gjeografit Klaud Ptolomeu, në librin e tij “Gjeografia” e poashtu edhe autori Stephani Byzantini në veprën e tij “Mbi qytetet dhe popujt” kur përmend fiset ilire të asaj kohe, përmend qytetin e njëjtë.

Rreth shekullit të XV-të, Ipeshki i Ulqinit Martino Segano, por i lindur në Novobërdë, kur e kujton vendlindjen, në shkrimet e tij, ai përmend një luginë të quajtur “Kosovitza”, nëpër të cilën kalon lumi Llap e që arrin deri në Fushën e Kosovës.

Gjithashtu me po të njëjtin emër, tregtari dubrovnikas Michael de Luchari, në librin e tij “Libri i borxhlinjve” në vitin 1438 përmend një vendbanim “Chosouiza”.

Por disa autorë duke u mbështetur në dokumentet sllave, nuk përmendin ndonjë regjion të mesjetës të njohur me këtë emër.

“Emërtimet sllave nuk na japin ndonjë emërtim të gjerë gjeografik për emrin Kosovë. Pra në mesjetë “Kosova” nuk përfshin një koncept gjeografik që sot themi administrativ”, tha Bedri Muhadri

Formën e njohjes më të madhe të këtij emri i dha beteja e parë e Kosovës, në shekullin e 14-të.

“Tërmi Kosovë është i periudhës mesjetare dhe del në skenë pas Betëjës së Kosovës në shekullin e XV…Në kuptimin etimologjik termi “Kosovë” shënon një zog respektivisht mëllenjën e cila si duket ka qenë e përhapur në këto zona nga e ka marrë emrin. Ndërsa prapashtesa “ova” do të thotë fushë, pra fusha e mëllenjave”, shton Muhamet Mala.

Megjithatë pretendimet për etimologji sllave, këta autorë i mbështesin edhe në shkrimet gjermane të periudhës mesjetare.

E madje këtë e mbështesin edhe terma të tjerë sllav të cilat kanë mbetur të pandryshuar.

“Edhe në Shqipëria nuk është bërë sa duhet dhe emrat kanë mbetur në sllavishte. Shembull Velipojë vjen nga “Veliko Polje” që do të thitë “fushë e madhe” , ka mbetur edhe sot e kësaj dite në sllavishte”, thotë Muhamet Mala.

Në këtë drejtim disa autorë të tjerë këtë përpjekje të Serbisë për etimologji sllave  e quajnë të konstruktuar.

Një teori tjetër është se nëpër tërë territorin e Kosovës së sotme që nga lashtësia hasim një numër të madh kështjellash dardane, që më vonë i përforcuan romakët.

Pra teoria thotë se “Kos” është vazhdimësi e fjalës antike “Kas” që i referohet kasollave ose kështjellave.

“Unë ndajë një mendim ndryshe që emri i Kosovës të rrjedh nga Kas-Kast-Kastle që i bjer kështjellë. Pra vend i Kështjellave për shkak se nga Zveçani deri në Lipjan ka pasur shumë kështjella”, thotë historiani Izet Miftari.

“Emri Kosovë e ka bazën të parashtresa “kas”. Kasovë, Kasua, Kasovia nga burimet e shkruara dhe hartat gjeografike të shekullit XVII. Kasa, nga latinishtja e vjetër do të thotë shtëpi. Pra kemi të bëjmë me një vend të urbanizuar ku ka shtëpi”, thotë për RTV Dukagjinin, Enver Rexha.

Emri i një qyteti xehtar, “Kasovë”, përmendet nga udhëpërshkrues të ndryshëm evropian, siç është rasti i një udhëpërshkruesi  anglez  gjatë vitit 1601.

Gjithashtu citohet edhe një autor tjetër, albanologu Johann Georg von Hahn i cili përshkruan vendodhjen e atij qyteti

Ndër të tjera këtë e dëshmojnë edhe harta të periudhës Osmane të vitit 1854.

Edhe autorë Francës të asaj kohe, rrugën për në atë qytet e përshkruan me frazën “Boschi Cossova” apo malet e Kosovës.

Ky qytet mendohet të ishte fshati Bellasicë, në veriperëndim të regjionit të Prishtinës. E gjatë hulumtimeve në teren aty janë gjetur materiale të një fortifikate mesjetare.

Gjithashtu hulumtime janë bërë edhe përgjatë vijës rrugore që ka përshkuar ajo zonë e atij qytetit të mundshëm metalurgjik.

Megjithatë këto pretendime nuk po merren si të mirëqena nga studiues të tjerë, të kohës moderne.

“Termi ”Kos” në kuptimin e kështjellave nuk është hasur gjithandej në periudhat antike. Këto janë hipoteza të reja të cilat tentojnë për të larguar këtë terminologji sllave, mirëpo për fat të keq ky është realiteti”, mendon Muhamet Mala.

E zona e Bellasicës duket se nuk është hulumtimi i vetëm për të zbuluar të vërtetën. Janë bërë hulumtime edhe në verilindje të Prishtinës, përkatësisht në fshatin Siqevë.

Në atë periudhë Kështjella e Bellasicës gjithashtu mendohet se ishte nën juridiksionin e Kështjellës Kassova.

Edhe në harta italiane dhe gjermane të kohës, vendin tonë e shkruajnë me emrin “Kasova” – duke cituar një këshjellë që ka ekzistuar në verilindje të Prishtinës.

Madje edhe nga shkrimet e Perandorisë Osmane të kohës, në prag të betejës së Kosovës në shekullin e XV-të.

“Janë disa harta italiane dhe gjermane, nuk përmendet emri Kosova por Kasova. Në hartë vërehet qartë se në verilindje të Prishtinës ka ekzistuar kështjella Kosova…Ka burime nga dokumente osmane të Kohës se si është pushtuar kështjella Kosova”, thotë Qazim Namani,  ekspert i arkeologjisë

Kjo gjen mbështetje edhe në shkrimet e Evlija Qelebijut, në shekullin e XVII-të, i cili ishte një eksplorator osman që udhëtoi në territoret e ish – Perandorisë Osmane përgjatë 40 viteve.

Se origjina e emrit Kosovë, bazën e ka në latinisht, e thotë edhe Encikolopedia Britanike.

“Një informat interesante e jep Encikolopedia Britanike e cila thotë se emri Kosova ka bazën e latinarizuar”, thotë Enver Rexha, Drejtor i Arkeologjisë së Kosovës.

Historiografia serbe duke mos qenë e sigurt në mendimin se temri Kosovë është sllav. Ajo jep edhe një përkatësi tjetër.

“Konsulli serb Branisllav Nushiç jep një version interesant sipas të cilit fjala Kosovë lidhet me kosën sepse në këtë vend ka pasur shumë livadhe që janë kositur”, shpjegon historiani Izet Miftari.

Se cila është e vërteta e këtij termi “Kosovë” mbetet të sqarohet nga studiues të fushës, se në realitet, ka rrjedhshmëri ilire apo i përket etimologjisë sllave.

Apo ndoshta ky emër rrjedhë nga një kështjellë, qytet apo province që ka ekzistuar ndër shekuj në këto troje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img