Një person është vrarë dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në Runikë të Skënderajt, pas mesnatës.
Në media janë publikuar pamje nga skena e krimit, ku dëgjohen disa gra duke qarë e bërtitur.
Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, ka konfirmuar Avni Zaiti per Gazeten Express.
Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.