Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka folur mbi vizitën e fundit të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen dhe ndër të tjera edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Orav tha se Asociacioni duhet të zbatohet, pasi sipas tij, kjo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Tutje, ai shtoi se duhet të presim që të shohim se çfarë do të kërkojë të bëjë nga palët Sorensen lidhur me Asociacionin.
“Por në momentin e tanishëm nuk ka asgjë tjetër të rënë dakord. Dhe ne shpresojmë shumë që ato marrëveshje do të zbatohen. Tani, nëse marrim Asociacionin e komunave me shumicë serbe, po. Ajo duhet të zbatohet sepse dhe kjo është një nga pak ose marrëveshja e vetme, që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me shumicën e dy të tretave. Kështu që do të thotë që nëse është ratifikuar, atëherë ajo duhet të zbatohet. Nëse është bërë hapi i parë, atëherë hapi i dytë duhet të bëhet. Por po ashtu vlen edhe për palën tjetër për Serbinë, sepse nëse flasim për obligimin që të mos e parandalojë Kosovën të bashkohet në organizatat ndërkombëtare si për shembull, ose nëse e themi, e kemi në mendje Këshillin e Evropës, atëherë ata nuk duhet ta parandalojnë”, tha ai.
“Ne e kemi Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, dhe nuk dua të bëj punën e tij për të thënë çfarë saktësisht Kosova duhet të bëjë në këtë drejtim. Por përsëri, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe kjo duhet të bëhet. Do të thotë, duhet të zbatohet. Dhe tani Peter Sorensen ishte këtu të dëgjojë liderët politikë, cilat janë pritshmëritë, çfarë mund të bëhet, çfarë nuk mund të bëhet por do të shohim kur ai të kthehet herën tjetër dhe çfarë do të ofrojë apo do të kërkojë që palët të bëjnë”, tha ai.