“Ndarja është provokuar vazhdimisht, nuk është se hera e parë po flitet për ndarje. Opsioni i ndarjes tash është më i shprehur edhe për shkak të fazës finale të dialogut”.
Analisti ka thënë se “është përfolur se Thaçi me Vuçiqin ndarjen e kanë diskutuar edhe në takime të ndryshme jashtë vendit, pavarësisht se këta dy publikisht e kanë mohuar një gjë të tillë”.
Mushkolaj thotë se është ende e panjohur për ne si publik se si e shohin shtetet perëndimore opsionin e ndarjes së Kosovës.
“Nuk është problemi nëse Thaçi e dëshiron ndarjen, por problemi është më i gjerë se ajo që na ofrohet neve si publik. Si e sheh Perëndimi këtë ndarje, dhe impakti që mund të ketë ndarja në shtetet e tjera të rajonit”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ai ndarjen e sheh si një opsion të mundshëm në tavolinë, si një mjet për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ndarja është duke u diskutuar dhe është diskutuar edhe në të kaluarën, dhe pavarësisht qëndrimeve publike të shteteve të fuqishme se janë kundër ndarjes, nuk e përjashtoj mundësinë që opsioni i ndarjes është në tavolinë, pavarësisht nëse i konvenon presidentit Thaçi apo kryeministrit Haradinaj”, deklaroi Mushkolaj, duke shtuar se çështja duhet parë në një kontekst më të gjerë.