Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, ku u rrit kohëzgjatja e përjashtimit të deputetëve nëse ata thyejnë rregullat gjatë seancave parlamentare, duket se i ka dhënë efektet menjëherë.
Për herë të parë në seancën e sotme parlamentare nuk kishte më karrige të kthyera përmbys, flakadanë apo efektivë të Gardës së Shqipërisë që të qëndronin në mes të deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Deputetët e pakicës parlamentare kishin zgjedhur sot mbajtjen e disa pankartave, si dhe ndezën disa zhurmues për të pamundësuar mbajtjen e seancës e cila megjithatë u zhvillua për rreth 12 minuta ku u miratuan edhe disa projektligje.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla i kërkoi Gardës të largohej nga pozicioni që mban, tashmë prej disa javësh përpara tavolinës së ministrave.
Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit parashikojnë përjashtim me 30-60 ditë për deputetët që prishin seancat plenare. Por ky përjashtim shoqërohet edhe me efekte financiare, pasi deputetëve u mbahet paga për kohën e përjashtimit./tch/