Site icon PrishtinaPress

Opozita kërkon sanksione ndaj deputetëve që mungojnë në seanca

Deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të mungojnë në seanca parlamentare, pasi nuk ka penalizime për mungesat e tyre.

Ndonëse ka një rregullore që i sanksionon deputetët “përtacë”, ku me mungesë prej 6 seancash, i hiqet mandati i deputetit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Se sanksionime ndaj deputetëve që mungojnë, po e kërkojnw dy partitë opozitare, PDK dhe AAK.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e sheh të pakuptimtë mungesën e deputetëve, teksa shton se një deputet duhet ta marrë përgjegjësinë për mungesën e tij.

“Është shumë e pakuptimtë dhe shumë papërgjegjësi që një deputet të mos vijë në seancë ose nëse nuk merr pjesë në mbledhjet e Komisionit. Nëse ti ke kandiduar që të bëhesh deputet, të jesh përfaqësues i qytetarëve, të jesh zëri i tyre dhe t’i përfaqësosh interesat e tyre, t’i patjetër duhet të jesh shumë aktiv dhe duhet të jesh pjesëmarrës në të gjitha seancat, përveç kur ke ndonjë arsye familjare ose shëndetësore që nuk ta lejon të vish, përndryshe do të ishte punë primare për një deputet. Personalisht nuk ka asnjë mbledhje e komisionit dhe asnjë seancë që unë kam munguar, dhe në ato që unë mungoj ka një arsye familjare ose shëndetësore”, ka thënë ajo.

“Mbi të gjitha, patjetër që do të duhej të sanksionohet, sepse nuk është e ndershme që të thirret seanca dhe të mos ketë deputetë që të mbahet seanca ose që mos të ketë kuorumi në komisione parlamentare. E di që është në proces rregullorja e Kuvendit, dhe e di që aty janë duke u paraparë sanksione për deputetët që nuk po marrin pjesë në komisione parlamentare”, ka thënë ajo.

Njëjtë mendon edhe kolegu i saj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ai thotë se mungesa e deputetit duhet të sanksionohet në pagë. Për këtë, ai ka ftuar pozitë e opozitë që të jenë të pranishëm nëpër seanca e komisionet parlamentare.

“Gjithsesi, çdo deputet që nuk është aktiv dhe nuk merr pjesë në seanca, sepse është votuar për të dhënë kontributin dhe për ta shprehë zërin e qytetarëve, në mungesë të tij duhet të dënohet në pagë por duhet të kemi edhe një rregullore të Kuvendit, ndonëse është një e tillë që nëse nuk merr pjesë në gjashtë seanca, ai deputet shkarkohet, mendoj që duhet të jemi më rigoroz në këtë drejtim. AAK i bën ftesë pozitës dhe opozitës që të jenë shumë më aktiv dhe të qëndrojnë në seanca sepse të gjitha seancat zhvillohen për të mirën e qytetarëve dhe për miratimin e ligjeve që është domosdoshmëri e kohës për ta rregulluar një segment të caktuar”,

Për një muaj, aktualisht, një deputet i Kuvendit pagën bazë e ka 1 488 euro. Përpos kësaj, nëse për një muaj mbajnë dy seanca, marrin 240 euro mëditje, ndërsa nëse mbajnë dy mbledhje komisioni marrin edhe nga 160 euro.

Exit mobile version