Opozita është duke insistuar në një vendim që do t’ua mundësonte qytetarëve tërheqjen e një pjese të kursimeve nga Trusti. Kjo u tentua të diskutohet edhe në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha pas mbledhjes se të hënën e ardhshme do ta kenë të gatshëm projektligjin për këtë çështje dhe tha se shpreson që do ta procedojnë në seancën e Kuvendit.
“Besojmë që ditën e hënë, të hënën e ardhshme pra, kur do të jetë mbledhja e radhës e Kryesisë, do ta kemi të gatshëm (projektligjin) dhe do të kemi mundësi ta procedojmë çështjen e Trustit në seancën e radhës në mënyrë që ta trajtojmë një çështje të tillë”, tha ai.
Tahiri shtoi se duhet arritur “një kompromis që do t’i lejonte qytetarët ta tërheqin një masë të caktuar të kursimeve të tyre për shkak të krizës ekonomike”.
Ai tha se jeta është bërë jashtëzakonisht e shtrenjtë, duke përmendur rritjen e çmimeve të produkteve
“Besoj që do të ketë një reflektim nga deputetët e mazhorancës dhe kjo iniciativë të kalojë”, tha Tahiri.
Shefi i deputetëve të PDK-së tha se janë të hapur të diskutojnë sa i përket masës se sa përqind e mjeteve duhet të lejohet të tërhiqen.
Një vendim të shpejtë për këtë çështje e kërkoi edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Sipas tij, tanimë deputetët e shumicës e kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo çështje.
Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.
Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.
Mëherët, kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari, ka thënë se nuk do ta lejojnë tërheqjen e mjeteve nga Trusti.