2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Opozita: Demarkacioni nuk kalon, vendi shkon në zgjedhje

Paralajmërimi i krerëve të dy partive me të mëdha, ai i PDK-së Kadri Veseli dhe i LDK-së Isa Mustafa, se javën tjetër do të dalë në Kuvend Projektligji për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, nga opozita po shihet si pafuqi e koalicionit qeverisës.

Zyrtarë të partive opozitare paralajmërojnë kundërshtim të ashpër sikurse edhe më herët, në tentim për ta penguar ratifikimin e saj, pasi sipas tyre Kosova po humb territor me këtë marrëveshje.

Ky paralajmërim erdhi pasi dy krerët e dy partive në koalicionin qeverisës, njoftuan se kanë biseduar me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit Hoyt Yee, me të cilin janë pajtuar që ratifikimi i kësaj marrëveshje të ndodhë javën që vjen.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, gjatë bisedës telefonike me diplomatin amerikan, i ka thënë atij, se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendime të mëdha, pasi në të kundërtën, ato e humbin kuptimin.

“Në këtë drejtim, ata u pajtuan që demarkacioni të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër”, thuhej në komunikatën e zyrës së Veselit.

Edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa i ka shprehur diplomatit amerikan nevojën që sa më shpejt Kosova ta miratojë marrëveshjen për demarkacionin.

“Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar edhe për procesin e ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejtë, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Por, krejt ndryshe mendojnë partitë parlamentare opozitare në vend. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi ka rikonfirmuar se këto paralajmërime janë tregim i pafuqisë së kësaj qeverie, derisa masat për ta penguar ratifikimin e saj, sipas tij, do të jenë po të njëjtat.

“E gjithë kjo përfolje për data të ndryshme është dëshmi e pafuqisë dhe veprimeve të pamenduara të qeverisë. Ne natyrisht se do ta kundërshtojmë këtë marrëveshje kurdo që sillet ajo në Kuvend. Ajo nuk është më pak e dëmshme sesa vitin e kaluar dhe argumentet kundërshtuese tashmë janë të njohura”, tha Çaushi për KosovaPress përmes telefonit.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj i ka thënë KosovaPress-it përmes telefonit, se paralajmërimi i koalicionit qeverisës për procedimin e marrëveshjes në Kuvend, janë kundërthënëse dhe fillimi i fundit të kësaj qeverie dhe shkuarjes në zgjedhje.

Madje, Lekaj mendon se projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, nuk do të riprocedohet në Kuvend fare, porse edhe nëse shkon, është i bindur se nuk do të kalojë.

“Sa i përket deklarimeve për procedimin e demarkacionit mendoj që është e drejtë e tyre për ta proceduar demarkacionin në Kuvend, por ajo që vlen të theksohet në biseda me gjithë deputetët që nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre dhe janë kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion. Mendoj që fundi i javës së ardhshme, apo fillimi i javës tjetër vendin do ta çojë në zgjedhje”, theksoi Lekaj.

Shefi i deputetëve të AAK-së, ka shtuar se edhe mocioni i mosbesimit i iniciuar nga Nisma për Kosovën, do të ketë sukses dhe se fundi i javës së ardhshme do të jetë vendimtar për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, ishte tërhequr nga seanca plenare vitin e kaluar, meqë sipas arsyetimit të kryeministrit në seancë plenare nuk ishin deputetët e Listës Serbe, derisa opozita insistonte që të dilte në votim.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img