Prokuroria ka dhënë detaje në lidhje me një operacion të Policisë së Kosovës, konkretisht njësisë “Fast” në Prishtinë ku në pranga përfunduan katër persona.
Prokuroria në komunikatë për media ka thënë se shtetasi i huaj i cili ishte cak i arrestimit, ishte i kërkuar për veprën penale “mashtrim”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin se në koordinim me Policinë e Kosovës, konkretisht njësia FAST Kosova, e cila operon në kuadër të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Policinë e Kosovës, në bashkërendim me njësitet relevante nga drejtoria rajonale e Policisë dhe ato të reagimit të shpejtë kanë realizuar një operacion efikas, me ç ‘rast kanë arrestuar një (1) person, shtetas të huaj, i cili ndodhej në kërkim ndërkombëtar, pra i njëjti kishte urdhër arrest ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.
Personi i lartcekur dyshohet se ka qenë i përfshirë në vepra penale të “Mashtrimit”.
Gjatë realizimit të operacionit policor në lokacionin ku është arrestuar i kërkuari, i lartcekur me urdhër arrest ndërkombëtar, janë arrestuar edhe tre (3) persona të tjerë, nën dyshimin se posedonin substanca të dyshuara narkotike.
Lidhur me këtë rast janë përgjigjur edhe njësitet policore të anti-drogës në Prishtinë të cilët sipas autorizimeve të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë ndërmarrë veprime tjera të nevojshme hetimore dhe operacionale lidhur me rastin.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, derisa tre (3) personat e tjerë janë duke u intervistuar në polici, dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerren veprimet e tjera procedurale.