Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Taulant Balla, ka folur rreth një operacioni të madh që u zhvillua gjatë natës.
Balla tha se gjatë këtij operacioni janë arrestuar disa persona të lidhur me krimin, e po ashtu në pranga kanë rënë edhe zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të përfshirë në krim.
“Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë”, tha Balla.
“Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit”, shtoi ai.
“Gjithashtu shpreh besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizmit të shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit. Faleminderit të gjithëve dhe vetëm përpara!”, theksoi numri një i Ministrisë së Brendshme shqiptare.