Andre Onana ia ka dhënë lamtumirën Interit pas një eksperiencë të shkëlqyer aty.
Portieri kamerunas u largua nga “Nerazzurri” dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet nga Manchester United, ku do ta zëvendësojë të larguarin David de Gea.
Ish-portieri i Ajaxit e ka dhënë një mesazh emocionues për Zikaltrit, me të cilët shkoi deri në finale të Ligës së Kampionëve, ku u mposht nga Manchester City.
“Ta lësh Interin është si ta lësh familjen. E kam kuptuar që të jesh pjesë e Interit është një mënyrë që të jesh pjesë e botës, ta jetosh. DO të jem internist përgjithmonë dhe ndoshta një ditë do të kthehem. Unë ndërkohë nuk do të ndalem së kënduari atë kor që më pëlqen aq shumë: ‘Për krejt ata kilometra që i kam bërë për ty…”, ka thënë fillimisht 27 vjeçari.
Ai më pas foli edhe për përvojën e re angleze, të cilën mezi pret ta nisë dhe të ketë sukses në “Old Trafford”.
“Unë dua dhe shpresoj ta fitoj Ligën e Kampionëve me Manchester Unitedin. Mezi pres ta nis këtë eksperiencë me trajnerin që është ‘prof’ i imi”, përfundoi ai.
Nga shitja e portierit të sigurt, Interi do t’i përfitojë afro 55 milionë euro.