Kombet e Bashkuara thonë se nuk kanë asnjë plan rezervë nëse Rusia tërhiqet nga marrëveshja që lejon Ukrainën të eksportojë grurë në tregjet ndërkombëtare dhe që ka ndihmuar në lehtësimin e eksporteve të drithit dhe plehrave kimike të Moskës.
“Nuk ka plan B për Detin e Zi”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric në përgjigje të pyetjeve se çfarë do të ndodhë nëse Rusia përmbush kërcënimet për t’u tërhequr nga marrëveshja më 18 maj. “Është Deti i Zi. Ne nuk mundemi të lëvizim portet. Ne nuk mund të lëvizim detin. Ne nuk mund të lëvizim Bosforin në Turqi”.
Që prej nënshkrimit të saj më 22 korrik në Stamboll, Iniciativa për Drithërat e Detit të Zi ka lehtësuar eksportin e sigurt të më shumë se 30 milionë tonë metrikë drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore nga tre porte të Detit të Zi në Ukrainë për në tregjet globale.
Një memorandum korrespondues mirëkuptimi midis Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara ka arritur të lehtësojë shqetësimet e bankave, siguruesve, transportuesve dhe aktorëve të tjerë të sektorit privat për të bërë biznes me Rusinë. Por Moska është ankuar vazhdimisht se nuk po përfiton mjaftueshëm nga marrëveshja.
Moska po mbron “interesat kombëtare të Rusisë, prodhuesit e saj bujqësor, prodhuesit e plehrave”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Vershinin. “Një nismë që sjell përfitime të njëanshme vështirë se mund të njihet dhe konfirmohet nga të gjithë”.
Megjithatë, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Linda Thomas-Greenfield u tha gazetarëve të enjten: “Rusia po eksporton mjaftueshëm. Ajo po eksporton drithë dhe plehra në të njëjtat nivele, nëse jo më të larta, se përpara pushtimit në shkallë të plotë”.
“Kërcënimet e Rusisë kanë të bëjnë me paratë dhe fuqinë. Sa më shumë që Rusia pengon eksportet e Ukrainës, aq më shumë rriten çmimet dhe me eksportet ruse që ecin mirë, ata po bëjnë më shumë fitime,” tha ajo.
Rusia ka detyruar gjithashtu një ngadalësim të eksporteve të grurit ukrainas nëpërmjet marrëveshjes, duke i vënë frena inspektimeve të detyrueshme të anijeve, raporton Zëri i Amerikës.
Të dhënat nga Qendra e Përbashkët e Koordinimit me qendër në Stamboll, e cila mbikëqyr inspektimet, tregojnë se inspektimet e anijeve të drejtuara për në Ukrainë dhe që nisen nga vendi kanë rënë ndjeshëm nga niveli më i lartë në tetor prej 4,4 inspektimesh hyrëse në ditë dhe 6,3 inspektimesh në dalje, në 1,4 në hyrje dhe 1,5 në dalje në ditë.
“Në formë klasike, rusët po luajnë me procedurat në Iniciativën e Drithrave të Detit të Zi,” tha ambasadori Jim O’Brien, i cili drejton Zyrën e Koordinimit të Sanksioneve në Departamentin e Shtetit”.
Të enjten, katër palët në marrëveshje – Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara – u takuan në Stamboll për të diskutuar të ardhmen e marrëveshjes së grurit.
Kombet e Bashkuara kanë theksuar rëndësinë e Iniciativës së Drithrave të Detit të Zi për të mbajtur çmimet globale të ushqimeve të qëndrueshme, veçanërisht për vendet më të varfra. Më shumë se gjysma e grurit ukrainas të eksportuar nëpërmjet marrëveshjes ka shkuar në vendet në zhvillim.
“Është e qartë se nëse kjo nismë nuk mund të vazhdojë, ajo do të ketë një ndikim negativ në sigurinë globale të ushqimit, në çmimet globale të ushqimit,” u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së Dujarric. “Është e rëndësishme që të gjithë ata që janë të përfshirë në të, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të përmbushin përgjegjësitë e tyre”.