Me Igor Simiqin pranë, që ia përkthente atë se çfarë i thoshin e çfarë donte të thoshte, Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, ka pasur dje një bisedë me përfaqësuesin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan.
Rakiq e kërkoi këtë bisedë mirëpo më pas u përball me të gjithë atë se çfarë ndodhi të hënën, gjatë tensioneve që u krijuan në protestën e serbëve.
Një nga çështjet që përfaqësuesi i KFOR-it e diskutoi me drejtuesit e Listës Serbe ishte edhe ajo për personat e maskuar.
Oficeri i KFOR-it tha se janë njerëzit me maska ata që kanë lënduar ushtarët e tij.
“Nga eksperienca jonë të hënën dhe eksperienca ime në Kosovë në muajt e fundit, njerëzit që lëviznin me maska duhet të ikin dhe të mos kthehen, jo vetëm këtu në Zveçan por në lokacionet ku KFOR-i tenton që të mbajë të gjithë të sigurt. E kam parë me sytë e mi, të njëjtin njerëz me maska lënduan ushtarët e mi” – tha ai.
Ndonëse fillimisht përfaqësuesi i KFOR kërkoi që biseda të zhvillohej brenda perimetrit të siguruar nga ana e tyre, Rakiq nuk pranoi një gjë të tillë.
Kryetari i Listës Serbe kërkoi që KFOR të shtojë njësitë e saj në terren.
“Njësia e Policisë së Kosovës gjithë ditën po torturon banorët e kësaj komune, janë duke ndaluar automjete, po arrestojnë njerëz, nëse gjejnë flamuj serbë brenda veturave, nëse kanë diçka në bluzat e tyre që policëve nuk u pëlqen. Pak më herët një veturë e Policisë dhe zyrtarë policorë kaluan me armë të gjata, kaluan në këtë pjesë dhe po provokojnë qytetarët dhe ata po reagojnë duke hedhur gurë” – tha Rakiq në gjuhën serbe, e u përkthye në anglisht nga nënkryetari Simiq.
“Ne erdhëm të ju pyesim nëse keni mjaftueshëm njësi që të dislokoni në këtë pjesë dhe të ndaloni ata për t’u futur në turma me automjete të Policisë” – vazhdoi tutje ai.
Kërkesa e tyre ishte që të ketë ekipe të këtij misioni në fund të rrugës ku qëndronin protestuesit, me qëllim që ‘të parandalohshin automjetet që të hyjnë në atë zonë’.
“Absolutisht do më pëlqente ta bëja atë, por problemi është se të hënën kur kishim forca të KFOR-it të ndara nga turma, ju kërkova disa herë që nëse do mund të zhvendosnit turmën që të kisha komunikim, liri të lëvizjes dhe të siguroja që të kem një ambient të sigurt mes forcave të KFOR-it që ishin të ndara nga njëra-tjetra, që të sigurohesha që mund të lëvizja mes tyre” – u përgjigj fillimisht oficeri i KFOR-it.
Më pas përfaqesuesi i KFOR vazhdoi duke iu drejtuar Rakiqit e duke i thënë se është i sigurt që e mban mend atë se çfarë po i thoshte.
“E kemi biseduar disa herë dhe nuk mundëm që të arrinim një marrëveshje dhe asnjëherë nuk kisha mundësi që të ecja lirshëm te forcat e mia të KFOR-it, pa ecur përmes turmës, e njëjta turmë që më shëmtoi automjetin tim dhe e njëjta turmë që nuk mundëm që për tetë orë diskutime me profesionalizëm dhe respekt, të bashkohemi që të bëjmë një marrëveshje për të mbajtur paqen” – vazhdoi tutje përfaqësuesi i KFOR-it.
Ndër të tjera ai tha se absolutisht do i pëlqente të ketë njësi të KFOR-it në lokacionet që kërkoheshin nga ana e Listës Serbe, por ai tha se duke e ditur atë që e ka parë të hënën, është i shqetësuar se mos po krijohet e njëjta situatë që e kishin të hënën dhe ajo nuk duhet të ndodhë.
Më pas, Simiq vazhdoi ta përkthejë Rakiqin, i cili tha se ‘nuk mund të pajtohem me të, qytetarët nuk dëshirojnë të ju ndalojnë juve, ata po ndalojnë Policinë e Kosovës të kalojnë në këtë rrugë”.
“Nuk kishte një moment kur ndonjëri prej ushtarëve të tu që nuk ishte pjesë e këtij perimetri, në ato momente ai nuk është sulmuar dhe nuk është nën presion të ndonjë lloji. Dhe ju besoj juve kur thoni se jeni këtu për të mbrojtur njerëzit, por kemi ardhur këtu që të ju kërkojmë sepse sipas Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara që jeni e vetmja njësi që mund të keni këto armë të gjata dhe kemi nevojë për ndihmën tuaj të parandalojmë këtë provokim nga Policia e Kosovës. Po kërkoj dhe po ju përgjërohem të kërkoni më shumë forca dhe njësi që të mbroni këtë zonë” – përktheu Simiq.