Site icon PrishtinaPress

“Oferta” e Humollit për Grup Parlamentar, çfarë thotë Haki Abazi?

Prej fillimit të kësaj legjislature, tre deputetë i janë larguar Grupit Parlamentar të VV-së. Bëhet fjalë për Doarsa Kica- Xhelili, Haki Abazi dhe Fatmir Humolli. Përderisa e para shkoi në LDK, Abazi e Humolli qysh prej largimit nga VV, janë pa grup parlamentar.

Humolli mbrëmë në “Pressing” nuk e mohoi mundësinë e krijimit të një grupi parlamentar me Haki Abazin. Ky i fundit nuk dha një përgjigje të prerë, por formimi i Grupeve Parlamentare është e rregulluar me Rregulloren e Kuvendit.

Deputeti që u largua së fundi nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, mbrëmë në emisionin “Pressing” të T7 ka thënë se ekziston mundësi që të krijohet një grup i ri parlamentar me të larguarit nga VV.

Përveç Humollit, nga VV janë larguar edhe Doarsa Kica-Xhelili dhe Haki Abazi. Kica-Xhelili i është bashkuar LDK-së, ndërsa Abazi po vepron si deputet i pavarur.

Për këtë të fundit, Humolli deklaroi se kanë disa të përbashkëta.

“Si individ je i pafuqishëm. Nuk mund të japësh më shumë. Ka nevojë për krijimin e një grupi. Por nuk mund t’i them askujt hajde, pa qenë ai i vetëdijshëm që po i bashkojmë fuqitë. Ai që do mu bashku me mu, e di se nuk kemi rrugë të lehtë… Me Hakiun kemi të përbashkëta, ka njohuri në politikën e jashtme. Ai njeh disa gjëra, unë disa. Unë e njoh sigurinë si mund të frymojë”, tha Humolli.

Pas kësaj deklarate të Humollit, Gazeta Express ka kontaktuar me deputetin Abazi. Ai refuzoi të japë një përgjigje të prerë për krijimin e një grupi parlamentar me Humollin.

“Kjo është demokraci, zoti Humolli është pjesë e njerëzve të pakënaqur që ka dalë prej Grupit Parlamentar, por kaq s’mund të them asnjë gjë më shumë”, tha Haki Abazi.

Abazi javën e kaluar është përjashtuar nga Grupi Parlamentar i VV-së. Këtë e konfirmoi shefja e GP, Mimoza Kusari Lila.

Ajo ka thënë për Koha.net se kanë vendosur unanimisht për përjashtimin e tij dhe si rrjedhojë, atij i ndërrohet edhe ulësja në Kuvendin e Kosovës. Kusari tha që Abazi është njoftuar për këtë vendim.

Çka parasheh rregullorja e Kuvendit?

Formimi i Grupeve Parlamentare është e rregulluar me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës. Sipas kësaj rregullore, Grupi Parlamentar formohet nga së paku 6 deputetë.

Në rregullore bëhet e ditur edhe se si shkon procedura e krijimit të Grupit Parlamentar.

“Grupi Parlamentar formohet duke ia dorëzuar Kryetarit të Kuvendit një njoftim, të nënshkruar nga deputetët, të cilët e përbëjnë grupin parlamentar dhe ky njoftim duhet të përmbajë emrin e grupit, emrin e kryetarit të grupit dhe të nënkryetarit të grupit, jo më vonë se shtatë (7) ditë nga dita e seancës konstituive”, thuhet në rregullore

Exit mobile version