Site icon PrishtinaPress

OEK mirëpret iniciativën e Abelard Tahirit për themelimin e Gjykatës Komerciale

Oda Ekonomike e Kosovës mirëpret iniciativën Ministrisë së Drejtësisë, të përkrahur nga USAID, për përgatitjen e bazës ligjore që mundëson krijimin e Gjykatës Komerciale.

Siç thuhet në njoftim, Gjykata Komerciale mund të jetë një nga shtyllat kryesore të garantimit të sigurisë juridike për bizneset vendore dhe investitorët e huaj. Besojmë se krijimi i kësaj Gjykate do të adresojë brengën serioze të bizneseve vendore dhe investitorëve të huaj që vie sot nga mungesa e sigurisë juridike per shkak të mos funksionimit efikas të sistemit gjyqësor.

Të gjitha rekomandimet e komunitetit të biznesit në vend dhe të investitorëve potencial e favorizojnë krijimin e Gjykatës Komerciale, e cila mund të garantoj mjete efektive juridike për trajtimin e të gjitha lëndëve nga fusha e drejtësisë komerciale. Krijim i kësaj Gjykate, sipas pritjeve tona, do t’i shërbejë komunitetit të biznesit vendor dhe investitorëve të huaj si një adresë e vetme, efikase dhe e specializuar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre nga aktivitetet e tyre biznesore.

Kështu, komuniteti i biznesit në Kosovë pret që Gjykata Komerciale do të jetë një “One-Stop Shop” për trajtimin e te gjitha rasteve komerciale nga profesionistët që do të trajnohen dhe zhvillohen profesionalisht, konform praktikave me të mira ndërkombëtare të së drejtësisë komerciale. Në këtë drejtim, presim që kjo Gjykatë të ketë juridiksion të qartë dhe të evitojë rastet e duplifikimit të kompetencave dhe nevojat e fragmetimit të rasteve në disa dhoma e në disa gjykata për të njëjtën çështje.

Natyrisht, presim që krahas krijimit dhe fuqizimit të kësaj Gjykate, të investohet dhe ngritet vëmendja e publikut edhe për përdorimin e mjeteve të tjera alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, të cilat edhe më tepër do të promovonin formalizimin e ekonomisë dhe zgjidhjen e të gjitha sfidave biznesore përmes rrugëve të mjeteve juridike në dispozicion.

Prandaj, OEK do të avokoj fuqishëm krijimin e kësaj Gjykate dhe do të ofroj ekspertizën e vet në të gjitha fazat e procesit të krijimit të kësaj Gjykate.

Exit mobile version