Rasti i njohur si KEK, e në të cilin ishte i përfshirë edhe Sami Lushtaku, i liruar ditë më parë nga akuzat për korrupsion, ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve në Kosovë.
Gjatë ditës, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka shkruar në rrjetin social Twitter, duke thënë se Gjykata Themelore e Prishtinës duhet të mbajë seancat dëgjimore në kohën e duhur e jo pasi të kalojë afati ligjor për gjykimin e lëndës.
“Gjykata Themelore e Prishtinës, së fundi ka liruar disa të dyshuar në rastin e korrupsionit të njohur si KEK, me arsyetimin se lënda është e vjetër. Gjykatat duhet të mbajnë seancat dëgjimore në kohën e duhur. Drejtësia mund të vie në vend vetëm nëse rastet dëgjohen para se të skadojë afati ligjor për gjykimin e lëndës”, ka shkruar Kosnett.
E me reagimin e Ambasadës së Amerikës, është pajtuar edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connell.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se përsëritja e gabimit nga institucionet e drejtësisë është strategji e qëllimshme për të lejuar kriminelët e lirë.
Dështimi i Kosovës, thotë O’Connell, dëmton të gjithë përveç kriminelët dhe miqtë e tyre.
“Bërja e gabimit të njëjtë një herë apo dy herë mund të jetë për shkak të paaftësisë ose papërvojë. Trajnimi do të ndihmonte në zgjidhjen e kësaj. Por Kosova ka pasur vite të trajnimit. Në vend të kësaj, duke e bërë të njëjtën ‘gabim’ kohë pas kohe, pas një kohe duket si një strategji e qëllimshme për të lejuar që kriminelët të ecin të lirë. Dështimi i Kosovës për të luftuar krimin na dëmton të gjithëve; mirë, të gjithë përveç kriminelëve dhe miqve të tyre”, ka shkruar ambasadori i Britanisë në Kosovë, derisa ka shpërndarë reagimin e Ambasadës Amerikane lidhur me lirimin e Lushtakut.