Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka reaguar ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministrit shqiptar Edi Rama, duke thënë se diskutimet për ndryshimet kufitare dhe për luftë janë të papërgjegjshme.
O’Connell ka thënë se Britania e Madhe mbështet aspiratat euro-atlantike të shteteve nga Ballkani Perëndimor, por jo edhe ngritjen e tensioneve.
“Ne mbështesim aspiratat e të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për BE-në. Diskutimet për ndryshimet kufitare ose luftëra janë të papërgjegjshme, ngritin tensione dhe dëmtojnë stabilitetin rajonal”, ka shkruar O’Connell.
Deklarata më e fortë për një bashkim të mundshëm të Shqipërisë me Kosovën erdhi nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duke kritikuar Bashkimin Europian për vonesën e proceseve integruese të tij theksoi se, nëse BE i mbyll derën Kosovës, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme, për t’u integruar pastaj më tej në familjen evropiane.
Por deklarata e Thaçit për “Radio Evropa e Lirë” erdhi pas asaj të Edi Ramës, i cili me tone të tjera ngriti shqetësimin se vonesa e BE do të rrisë zërat nacionalistë dhe pavarësisht se mënyra e vetme për të ruajtur një Ballkan paqësor është bashkëpunimi.
“Nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë, nuk ka hapësirë, atëherë sigurisht që edhe unionet e vogla mund të ndodhin, kishte thënë kryeministri Rama për “Politico”.