Në Kinë banorët tashmë janë të shqetësuar edhe për përhapjen e koronavirusit tek të afërmit e tyre të moshuar. Shumë po planifikojnë të kthehen në vendlindjen e tyre për pushime, por siç paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësise, kjo mund të shkaktojë një shpërthim të Covid-19.
Në këtë muaj Kina feston Vitin e Ri Hënor dhe banorët po përgatiten për festimin e tij, pasi muajin e kaluar shteti hoqi masat e rrepta antivirus për shkak të protestave që filluan në të gjithë vendin.
Ndryshimi i papritur i politikës bëri të mundur që 1.4 miliardë njerëzve që u mungon imuniteti natyror, duke përfshirë shumë të moshuar që nuk janë vaksinuar plotësisht, të jenë të ekspozuar ndaj COVID-19.
Virusi po përhapet nga qytetet e mëdha të Kinës në zonat rurale me infrastrukturë mjekësore më të kufizuar, dhe po ushtron presion të madh në disa spitale dhe krematoriume.
Me të dhënat zyrtare të kufizuara nga Kina, OBSH tha dje se do të ishte e vështirë të vihej nën kontroll virusi gjatë një sezoni festash, që shihet si migrimi më i madh vjetor në botë i njerëzve.
Paralajmërimet nga ekspertët kinezë të shëndetësisë për qytetarët për të shmangur të afërmit e moshuar gjatë festave ishin postimet më të shikuara sot në Weibo, ekuivalenti kinez i Twitter-it.
“Është një sugjerim shumë i përshtatshëm, kthehuni në vendlindjen tuaj ose jepni përparësi shëndetit të të moshuarve”, shkruan një përdorues i Weibo.
Një përdorues tjetër përmendi se në familjen e tij nuk guxojnë të vizitojnë gjyshen dhe do t’i lënë dhurata në derë të shtëpisë. “Është pothuajse Viti i Ri dhe kam frikë se do të ndihet e vetmuar”.
Më shumë se dy miliardë udhëtime priten në të gjithë Kinën gjatë sezonit të festave të Vitit të Ri Hënor, i cili filloi më 7 janar dhe zgjat 40 ditë, sipas ministrisë së transportit. Ky numër është dyfishi i vitit të kaluar dhe arrin në 70% të lëvizjeve të bëra në vitin 2019 përpara se të shfaqej pandemia në qytetin qendror kinez, Wuhan.
“Unë do të qëndroj në shtëpi dhe do të shmang të shkoj në vende të mbushura me njerëz,” tha Chen, 27 vjeç, një regjisore që jeton në Pekin dhe planifikon të vizitojë familjen e saj në provincën lindore të Zhejiang.
OBSH dhe qeveritë e huaja kanë kritikuar Kinën se nuk është e qartë për shkallën dhe ashpërsinë e shpërthimit, gjë që ka bërë që shumë vende të vendosin kufizime për udhëtarët kinezë.
Kina ka raportuar pesë ose më pak vdekje në ditë për muajin e kaluar, shifra që nuk përputhen me radhët e gjata që shihen në shtëpitë funerale. Vendi nuk raportoi asnjë vdekje dje apo një ditë më parë./Prishtinapress/