Site icon PrishtinaPress

O’Brien: Nga diskutimet në Shtëpinë e Bardhë përfitojnë Kosova e Serbia, ta çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, ka thënë se nga diskutimet që pritet të bëhen në Shtëpinë e Bardhë, do të përfitojnë Kosova dhe Serbia.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, O’Brien tha se diskutimet mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.

“E mirëpres takimin mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti nesër në Shtëpinë e Bardhë. Këto diskutime të rëndësishme do të avancojnë paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Nga angazhimi i të dy liderëve për dialog do të përfitojë Serbia dhe Kosova”, shkruan O’Brien.

Ndonëse është paralajmëruar se në takimin në Uashington, më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të bisedojnë për çështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe punësimin e të rinjve, ende nuk është e qartë se cilat janë temat konkrete, për të cilat do të bisedohet.

Liderët e Kosovës dhe të Serbisë, do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, me ftesën që u ka bërë Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

Zyrtarë të administratës amerikane kanë theksuar që SHBA-ja nuk ka asnjë plan sekret lidhur me negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, siç është thënë, në rast se palët duan ndihmë nga SHBA-ja dhe nëse duan zhvillim, atëherë të dy vendet kanë nevojë përpërparim në fushën ekonomike.

Kryeministri Avdullah Hoti, ka paralajmëruar takime të nivelit të lartë në Uashinton, duke thënë që “në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës” dhe se as këtë herë “nuk do të jetë ndryshe”.

Ndërkaq, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, më 29 gusht, ka deklaruar që Serbia e ka marrë agjendën zyrtare për bisedimet e radhës në Uashington, më 4 shtator, dhe se në të është vetëm “një pikë e papranueshme”, duke mos precizuar se cila është ajo.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.

Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.

Palët nuk kanë arritur ndonjë përparim. Delegacioni i Kosovës ka insistuar se po negociohen pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të përmbajë njohjen e dyanshme ndërkaq pala serbe ka thënë se ky dialog është për çështje teknike.

Exit mobile version