Site icon PrishtinaPress

Nxiten vajzat të studiojnë shkencat kompjuterike

Teknologjia informative dhe e komunikimit është njëri nga profesionet më të kërkuara në kohën e sotme.

Në këtë profesion në Kosovë kryesisht punojnë meshkujt dhe kjo ka nxitur Organizatën Joqeveritare “KS Kosova” që të nisë me projektin “Vajzat në TIK”, në mënyrë që t’i inkurajojë vajzat në Kosovë që të studiojnë shkencat kompjuterike, pasi edhe mundësitë për punësim si në Kosovë ashtu edhe në Evropë janë më të mëdha.

Detaje të këtij projekti ka dhënë menaxherja Tringa Mullaademi  në emisionin “Mirëmengjesi Kosovë” në RTK 1. Ajo fillimisht ka bërë të ditur se OJQ “KS Kosova” është themeluar në vitin 2007, si pasardhëse e asociacionit norvegjez të autoriteteve lokale dhe regjionale, “KS Norway”.

“Ne në atë vit i kemi bartur të gjitha projektet dhe asetet e tyre në pronësi të organizatës tonë. Në vitin 2010 është bërë një hulumtim i fizibilitetit në fushën e qeverisjes ku ka rezultuar edhe me projektin ‘E – Qeverisja’ në komunat e Kosovës. Ky projekt ka përfshirë të gjitha komunat e Kosovës dhe ndër to kemi pasur trajnime edhe për IT të komunave. Aty është parë mungesa e femrave në këtë sektor, për shkak se gjatë atyre trajnimeve është vërejtur se IT e komunave të Kosovës janë të gjithë meshkuj. Kjo na ka nxitur që tani të vijmë me projektin ‘Vajzat në TIK’”, ka theksuar Mullaademi.

Ajo më tutje ka theksuar se realisht projekti ‘Vajzat në TIK’ është pasaardhës i projektit ‘E-Qeverisja’. Ky projekt sipas saj ka fillur implementimin në janar të vitit 2015 dhe ka për qëllim t’i inkurajojë të gjitha ato vajza në shkolla të mesme që të studiojnë shkencat kompjuterike në mënyrë që të zhvillojnë një karrierë të suksesshme në sektorin e TIK-ut.

“Fillimisht në fazën e parë projekti ka përfshirë katër komuna: Gjakovën, Fushë Kosovën, Shtimen dhe Kamenicën, kurse më pas jemi zgjeruar edhe në pjesë tjera të Kosovës, si në Lipjan, Obiliq dhe Drenas.”

“Pra në këtë fazë ky projekt është i shtrirë në 7 komuna të Kosovës. Në bazë të hulumtimeve paraprake dihet dispalanci gjinor që ekziston në këtë fushë, ku raporti është 80 përqind meshkuj, 20 përqind femra që janë të përfshirë në këtë sektor.”

“Kjo përqindje duhet të ndryshojë, sepse ky sektor nuk është i meshkujve por teknologjia është e të gjithëve. Vajzat duhet mi inkuraju me studiu TIK-un, pasi ka raste kur vajzat janë treguar shumë më të mira se meshkujt në këtë profesion. Ky sektor mendohet se është mashkullor por është gabim. Ky sektor është profesion i së ardhmes”, ka nënvizuar Mullaademi.

Arsyeja pse vajzat nuk studiojnë shkenca kompjuterike sipas janë të shumta, por më kryesorja është mungesa e informacionit sepse ato mendojnë se është sektor mashkullor.

“Vetë fakti kur krijojmë broshura për këtë sektor në vend se të vendosim një femër në ballinë ne e vendosim një mashkull  dhe automatikisht po krijohet një përshtyja se është profesion mashkullor. Po ashtu në hulumtim ka dalë mungesa e informatës për profesionet që ekzistojnë në këtë sektor, pasi mendohet vetëm në dy profesione atë të ndihmës teknike ku punohet me kabllo dhe programer, derisa nuk dijnë për profesione tjera në këtë sektor. Po ashtu edhe storiet e suksesit në teknologji të gjitha janë për meshkuj, pra mungojnë storiet e suksesit për vajzat. Ne jemi duke e promovuar tregun e punës në këtë sektor dhe për këtë të gjithë mund të marrin informatat e duhura në ueb faqen tonë www.vajzat-tik.com”, ka përfunduar Tringa Mullaademi.

Exit mobile version