S’do të lejohet më që nëpër shkolla të kryeqytetit të përfundojnë vite shkollore me numër të madh mungesash të nxënësve, siç ishte më 2016-2017 kur qenë evidentuar më shumë se një milion e 240 mungesa të nxënësve të nivelit parauniversitar.
Shkollat, ose duhet të parandalojnë mungesën e nxënësve në mësim, ose do të përjashtojnë pas asnjë kompromis çdo, nxënës që i bën mbi 30 mungesa të paarsyeshme gjatë vitit shkollor, shkruan sot koha Ditore.
Kështu i ka deklaruar KD-së drejtori i Arsimit i Prishtinës, Jonuz Salihaj, duke bërë të ditur se vitin e kaluar shkollor është përjashtuar një numër i madh nxënësish për shkak të mungesave, me vendim të vetë shkollave.
Por, se nga ky vit shkollor, nxënësit do të përjashtohen edhe me vendim të DA-së, sepse nuk do të lejohet që të marrin diploma shkollore, nxënësit që nuk e meritojnë këtë.
Salihaj ka theksuar se përjashtime të nxënësve, vitin e kaluar shkollor që në Prishtinë ka përfunduar më 20 qershor 2018, ka pasur në të gjitha shkollat e mesme dhe ndër ta ka pasur edhe maturantë.