Site icon PrishtinaPress

Nxënësit e “Sami Frashërit” bojkotojnë mësimin, kërkojnë largimin e profesoreshës së Kimisë (Foto)

Në mëngjesin e sotëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, nxënësit kanë bojkotuar orët e mësimit. Ata brohorisnin me të madhe në oborrin e shkollës për largimin e profesoreshës së kimisë, Florije Rusinovci. Megjithatë, profesoresha në fjalë pretendon se krejt kjo po bëhet në bashkëpunim me drejtorin e gjimnazit Osman Beka, për ta larguar atë nga ky institucion.

Sipas saj, arsyeja kryesore e këtij implikimi në mes drejtorit-nxënësve dhe prindërve për ta larguar profesoreshën, është konkursi për të aplikuar për drejtor të këtij gjimnazi.
Ajo ka thënë për Telegrafin se konkursi është anuluar dhe se është duke pritur që të rihapet që ajo të aplikojë përsëri, konkurs për drejtor të këtij gjimnazi.
“Unë jam me trajnime dhe i plotësoj kushtet për të qenë drejtor i këtij gjimnazi”, konsideron Rusinovci.
Ajo më tej ka shtuar se është viti i nëntë që jep mësim dhe se asnjëherë nuk ka pas probleme të tilla.
“Kam dhënë mësim në shkollën ‘28 Nëntori’ dhe në ‘Shtjefan Gjeqovi’, por asnjëherë s’kam pas ndonjë problem. Është muaji i dytë që jap mësim këtu. Krejt kjo është nga drejtori me disa prindër dhe disa nxënës. Drejtori ka bërë ankesë me disa nxënës dhe e ka protokolluar”, pretendon profesoresha e kimisë.

Gjithashtu ajo thotë se jep mësim në shtatë klasë të kësaj shkolle dhe se probleme ka vetëm me klasën 12/8.
“Vetëm me klasën 12/8 kam problem, ndërsa klasat tjera i kanë rënë pishman që kanë bërë ankesë”, tregon ajo për Telegrafin.
Ndërsa, drejtori i këtij gjimnazi Osma Beka ka thënë për Telegrafin, se ka disa ankesa nga nxënësit dhe prindërit për profesoreshën e lëndës së kimisë.

Ai tha se problemi më i gjatë ndodhi ditën e djeshme, dhe se sot këta nxënës nuk kanë pranuar të mbajnë orë mësimore pa e larguar profesoreshën në fjalë.
“Nxënësit thonë se profesoresha nuk di dhe se është e dobët. Edhe prindërit janë ankuar. E kemi ftuar profesoreshën, e kemi këshilluar duke i thënë të ketë kujdes sepse nxënësit kanë ankesë në mënyrën e shpjegimit dhe të shtjellimit të lëndës së kimisë”, tha Beka.
I pyetur nëse drejtoresha e arsimit në komunën e Prishtinës, është e vetëdijshme për këtë problem ai tregoi se Arberie Nagavci ka qenë në gjimnaz për tu njoftuar me këtë problem, katër ditë më parë.

“Ajo më tha: ‘drejtor nëse ke edhe ndonjë ankesë, ma thuaj, mirëpo shqiptoja një vërejtje gojore profesoreshës’, gjë të cilën e kam bërë dhe me shkrim”, thotë drejtori Beka.
Sipas tij, megjithatë, problemet me profesoreshën e Kimisë kanë vazhduar edhe pas kësaj.
Dhe sot, ka shtuar ai, nxënësit e asaj klase sot në mëngjes kanë thënë se nuk do të hyjnë në klasë.
“Edhe nxënësit e tjerë iu kanë bashkangjitur këtij bojkoti”, shpjegoi drejtori i gjimnazit Osman Beka.
Telegrafi ka tentuar që gjatë ditës të kontaktojë me Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, por nuk ka mundur të marrë ndonjë përgjigje lidhur me rastin.
Sipas Zyrës së Drejtorisë së Arsimit, drejtoresha Arbërie Nagavci ka shumë obligime dhe se është e pamundur që të jap ndonjë përgjigje, gjatë ditës së sotme.

Exit mobile version