Sjelljet e nxënësve në shkolla fillore e të mesme, jo gjithmonë janë konfrom rregullave të vendosura nga institucionet arsimore.
Shpeshherë ata kanë sjellje të pahijshme me gjuhë vulgare e me raste edhe kërcënuese ndaj mësimdhënësve e pjesës tjetër të stafit.
Me një situatë të tillë është përballur një mësimdhënës në qytetin e Pejës, i cili së fundi ka denoncuar në Polici një nxënës të shkollës fillore ‘Ramiz Sadiku’.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur brenda oborrit të Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional ‘Rifat Gjota’ në rrugën ‘Esat Mekuli’.
Nxënësi dyshohet se fillimisht ka ngacmuar mësimdhënësin e më pas i është drejtuar atij me fjalë kërcënuese se do ta pret copa-copa me thikë.
44-vjeçari është detyruar që rastin ta denoncojë në Polici dhe si rrjedhojë, i mituri është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë në praninë e prindit të tij dhe avokatit mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të miturit të nisin hetimet për veprën penale ‘Kanosje’.