1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Numri i aksidenteve me fatalitet këtë vit ka shënuar rritje në Kosovë

Bazuar në të dhënat e Policisë, numri i aksidenteve me fatalitet në Kosovë ka shënuar rritje. Këtë e pohon edhe shefi i Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës, Baki Kelani, i cili tha për Radio Kosovën se në tremujorin e parë të këtij viti numri i aksidenteve me fatalitet është rritur për 7.41 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Autoritetet e rendit thonë se nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit të kaluar, vërehet rritje e numrit të personave të vdekur si pasojë e aksidenteve në komunikacion. Për këtë, qytetarët e intervistuar fajësojnë ngasësit e automjeteve, të cilët sipas tyre, nuk po i respektojnë shenjat e komunikacionit. Po ashtu një shqetësim tjetër i qytetarëve mbetet mungesa e shenjave të komunikacionit në qytet e po ashtu edhe në rrugët rajonale.

”Shumica që i po marrin lejet me pare nuk i dinë rregullat dhe normal të rrezikojnë ty, i rrezikojnë edhe të tjerët. Shenjat mungojnë, rrugët janë të ndërtuara jo mirë. Shumë është problem në këtë pyetje të përgjigjesh. Edhe komuna i ka fajet, edhe qytetarët e edhe të gjithë. Nuk di kujt t’ia lësh fajin. Duhet edhe një gjeneratë që të rregullohen pak gjërat” ka thënë një Qytetar.

Ndërkaq, shefi i Zyrës së Informimit në Policinë e Kosovës, Baki Kelani, tha për Radio Kosovën se numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rritje këtë vit. Megjithatë, sipas Kelanit, marrë në tërësi, numri i aksidenteve ka shënuar rënie.

”Nga janari deri në prill të këtij viti është një rritje e aksidenteve me pasoja fatale, diku për 7.41 për qind. Mirëpo, është një fat i mirë që aksidentet si numër në total, duke përfshirë aksidentet me dëme materiale dhe persona të lënduar, kanë shënuar rënie për 12. 37 për qind. Shqetësuese mbesin aksidentet me pasoja fatale” ka thënë Baki Kelani.

Kelani ka pranuar se mungesa e sinjalizimeve në veçanti afër rreth-rrotullimeve është evidente. Ai ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, përkatësisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor vitin e kaluar pati hartuar 103 raporte me ç’rast nxori rekomandimet mbi mangësitë në komunikacion, ku më pas ato i ka adresuar te ministritë kompetente dhe komunat.

”Ne i kemi dhënë këto rekomandime dhe është e vërtetë që ka mungesë në disa rrugë qofshin ato rajonale, urbane por edhe magjistrale. Ka mungesë të sinjalizimit. Mirëpo, ne i kemi dhënë rekomandimet tona, në mënyrë që të vendosen shenjat dhe të ndërrohen shenjat e dëmtuara. Kjo është nën domen, qoftë për ato rajonale, të ministrisë, por në rrugët lokale brenda territoreve komunale janë përgjegjëse komunat përkatëse” tha Kelani.

Drejtori i Këshilli Koordinues për Sigurinë Rrugore, pranë Ministrisë së Infrastrukturës, Fejzullah Mustafa, potencoi se në aspektin e sigurisë në trafik gjendja është alarmante. Ai tha se janë duke punuar në drejtim të vetëdijesimit të qytetarëve si dhe informimit sa më të mirë të tyre për rregullat në trafik.

”Duke pasur parasysh popullatë, prapë jemi në një situatë alarmante. Ministria e Infrastrukturës është në koordinim e sipër me të gjitha dikasteret të cilat kanë të bëjnë me pjesën e sigurisë rrugore dhe jemi në vlugun e organizimit të tryezave të rrumbullakëta. Jemi në vlugun e organizimit të fletëpalosjeve nëpër pikat kufitare që të njoftohen të gjithë qytetarët që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës mbi kufizimin e shpejtësisë, mbi legjislacionin e ri” ka thënë Fejzullah Mustafa.

Ndryshe Policia e Kosovës është duke bërë maksimumin për të arritur një siguri më të madhe në trafik,  thotë Kelani. Me këtë rast është rritur numri i zyrtarëve policorë në trafik, janë shtuar njësitet me motoçikleta, janë marrë masa ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit, ku brenda 24 orëve shqiptohen rreth 2 mijë gjoba.  Megjithatë, sipas deklaratës së policisë, shkaktarët kryesorë të aksidenteve janë: manipulimi i pasigurt nga ngasësit, mos mbajtja e distancës së duhur në trafik si dhe mospërshtatja dhe tejkalimi i shpejtësisë. Policia e Kosovës apelon te të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat e Ligjit mbi Trafikun Rrugor, të respektojë shenjat e trafikut rrugor si dhe të kenë kujdes të shtuar në trafik.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img