1.6 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Numër i madh i armëve pa leje në Kosovë, Sveçla: Jemi në fazën e draftimit të ndryshimeve ligjore për armët

Çdo vit në Kosovë konfiskohen rreth 1500 armë ilegale. Qytetarët posedojnë shumëfish më shumë armë pa leje, ndërkohë që numri i kërkesave për legalizim mbetet i vogël. Sipas hulumtimit të fundit, janë 250 mijë armë pa leje. Ndërkaq, në periudhën e legalizimit para dy vitesh, janë paraqitur vetëm rreth 2 mijë kërkesa. Numri i madh i armëve të cilat mbahen pa leje nga qytetarët, po konsiderohet rrezik për sigurinë e popullatës. Nga qeveria thonë se janë në fazën e draftimit të ndryshimit të ligjit dhe kodit penal për armët, ku masat ndëshkimore do të jenë më të larta.

Për posedim të armëve, sipas ligjit, qytetari duhet të ketë aftësi të plotë ligjore për veprim, të posedojë aftësi psiko-fizike, të mos paraqesë rrezik për vetveten, për rendin publik dhe sigurinë publike, të ketë të kryer testin teorik dhe praktik për përdorimin e armës dhe disa kushte tjera që përcaktohen me ligj.

Megjithatë, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj thotë se duhet të ketë ligje më rigoroze sa i përket pajisjes me armë me leje.

“Kosova e ka një numër të madh të armëve pa leje të cilat janë në popullatë. Ju e dini që janë mbajtur shumë kampanja apo fushata se si të zvogëlohen këto armë që sa më pak të jenë prezente dhe në duart e qytetarëve. Mirëpo, është fakt që ende ka shumë armë në duart e qytetarëve, të cilat janë të rrezikshme edhe për vet ata dhe të tjerët. Duhet të gjenden mënyra që këto armë të zvogëlohen sa më shumë. Ndërsa, çështja e armëve me leje konsideroj që është krejt në rregull, për shkak se institucionet gjithmonë e dinë se ku është arma dhe po ashtu kjo është e kontrolluar. Normalisht që gjithmonë sa më rigoroze duhet të jenë ligjet në mënyrë që personat të kenë sa më pak”, thekson Qalaj për KosovaPress.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme është shqetësuese mbajtja dhe përdorimi i armëve në mënyrë ilegale. Në periudhën e legalizimit nga data 17 dhjetor 2018, deri më 17 shtator 2019, janë paraqitur rreth 2 mijë kërkesa për legalizim të armëve.

Bazuar në informacionet e këtij dikasteri, në hulumtimin e fundit të realizuar në vitin 2015 janë identifikuar 250 mijë armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ndërkaq, Policia e Kosovës konfiskon çdo vit rreth 1500 armë ilegale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla derisa ka folur për numrin e vrasjeve në vend, thotë se ka numër të madh të armëve pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës. Ai thotë për KosovaPress, se janë në fazën e draftimit të ndryshimeve ligjore për armët dhe masave ndëshkimore.

“Ndër to është edhe fakti se ka një numër të madh të armëve pa leje në duart e popullatës tonë, ne duhet që jo vetëm të ndërmarrim veprime si Polici e Kosovës dhe si MPB, por ne tashmë kemi edhe iniciativat e para për të ndryshuar ligjin për armët dhe për të ndryshuar po ashtu edhe kodin penal me të cilin masat ndëshkimore ndaj atyre të cilët mbajnë armë pa leje të jenë më të larta dhe të mos përfundojnë vetëm në dënime mandatorë, por sikurse të gjitha shtetet në Evropë dhe të gjitha shtetet në rajon, ato masa të jenë më të ashpra në mënyrë që të dekurajojmë mbajtjen e armës nga qytetaret e Republikës të Kosovës…Tashmë jemi në fazat e draftimit të ndryshimeve ligjore, unë shpresoj që do të jetë ndër veprimet e para të këtij fund-viti dhe normalisht pastaj mbetet në dorë të Parlamentit që të procedojë sa më shpejt që është e mundshme këto ndryshime ligjore”, thotë ai.

Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, ku parashihet gjobë deri në 7500 euro. Veç tjerash, parashihet edhe dënimi me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Bazuar në Kodin Penal, parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burg për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.

Ligji për Armët rregullon kushtet për blerjen, posedimin, armëmbajtjen, ruajtjen, prodhimin, çaktivizimin, riparimin, e shumë çështje tjetra. Aty kategorizohen armët A, B, C dhe D varësisht prej karakteristikave të tytave, gjatësisë së armës, mekanizmit qitës dhe disa karakteristikave të tjera./kp/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img