1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Nuk u dolën fjalët se përfundon në 2023, Aliu për Autostradën e Gjilanit: Probleme të paparashikuara

Ministri i Mjedisiti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka treguar se pse nuk u dolën fjalët që kishin dhënë për Autostradën e Gjilanit, për të cilën kishin thënë se punimet do të përfundojnë gjatë vitit 2023. Ndërtimi i kësaj autostrade ka nisur para gjashtë vjetësh.

Aliu tha se gjatë rrugës kanë dalë probleme të paparashikuara, derisa si problem kryesor përmendi çështjen e shpronësimeve.

“Ka pas premtime që do të kryhet në vitin që shkoj, kanë dalë probleme të paparashikume, sidomos janë probleme të shpronësimit. Përpos problemeve të shpronësimit, janë edhe probleme teknike, të cilat probleme janë në zgjidhje e sipër. Kjo e shpronësimit, janë marrë edhe vendimet në Qeveri për t’i evituar”, ka deklaruar Aliu.

Ai tha se çdo muaj shkon dhe sheh si po zhvillohen punimet, derisa pranoi se intensiteti i punëve është më i vogël në krahasim me rrugët tjera, duke thënë se kjo është rezultat i kontratave që kanë trashëguar.

“Një herë në muaj së paku shkoj të shoh zhvillimin e punimeve në Autostradën e Gjilanit, intensiteti i punëve në krahasim me Podujevën, Mitrovicën dhe Pejën tash që po realizohet, është më i vogël, si rezultat i kontratave që janë nga e shkuara. Mos të harrojmë që ne kemi trashëguar kontratat…”, ka deklaruar Aliu në RTK.

Në fund tha se po përkujden që punët të kryhen sa më shpejtë.

“Punët po shkojnë me intensitet më të lartë dhe jemi duke u përkujdes që ato të kryhen sa më shpejtë”, deklaroi ministri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në muajin korrik të vitit 2023, kishte inspektuar punët në këtë autostradë. Ai kishte premtuar se “punimet do përfundojnë brenda vitit 2023, pasi kanë përfunduar 70 për qind e punimeve”.

Në vitin 2018, është thënë se kjo autostradë, buxhetit të Kosovës, do t’i kushtojë 87 milionë euro. Por, në Ligjin për ndarje buxhetore të këtij viti, thuhet se vlera totale e kësaj autostrade është rreth 129 milionë euro.

Kjo autostradë pritet të lidhë Kosovën me Serbinë Jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës.

Krijimi i sistemit  të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj, thuhet në Programin e Qeverisë së Kosovës 2021-2025.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img