Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se për shkak të shkeljes së Kodit të Etikës për zyrtarë korrektues, ka larguar përkohësisht (suspenduar) nga puna zyrtarin korrektues, H. V.
“I njëjti ka postuar në rrjetin social Facebook video live, në të cilën shihet së bashku me disa persona të tjerë duke mos respektuar masat e distancës dhe në kundërshtim me orarin e lëvizjes (pas orës 17:00), masa këto të marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të cilat kanë për qellim ndalimin e përhapjes së pandemisë COVID- 19.
Me këtë veprim, i njëjti ka treguar mungesë disipline duke rrezikuar institucionet korrektuese me përhapjen e pandemisë brenda tyre”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes mekanizmave të brendshëm është duke vazhduar realizimin e detyrave, të cilat dalin nga plani operativ “CoronaVirus”, dhe nuk do të lejoi në asnjë mënyrë rrezikim e institucioneve korrektuese me veprime të tilla.