2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Buy now

spot_img

“Nuk po vijnë faturat”- kush po e paguan rrymën në Veri?

Qytetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës thonë se nuk kanë pranuar fatura të energjisë elektrike për muajin janar, ani pse Qeveria e Kosovës tha se në atë zonë, ku rryma nuk paguhet tash e 25 vjet, janë shpërndarë rreth 20 mijë të tilla.

Rafael Ralloviq nga Leposaviqi – rreth 70 kilometra larg Prishtinës – thotë se ka rreth pesë vjet që në shtëpinë e tij e ka të instaluar njehsorin që mat shpenzimin e energjisë elektrike.

“Matësi im i rrymës është relativisht i ri, por se sa funksionon saktësisht, nuk e di”, thotë Ralloviq.

Ai tregon se nuk ka pranuar asnjëherë faturë për shpenzimin e rrymës, por se ka pritur që për janarin e kaluar, të ishte ndryshe, për shkak të paralajmërimeve nga autoritetet e Kosovës se rryma do të faturohet.

“Para një muaji kanë ardhur dhe kanë regjistruar gjendjen e matësve të energjisë elektrike. Tani askush nuk erdhi më. Nuk e di se si është situata”, thotë Ralloviq për Radion Evropa e Lirë.

Në Leposaviq dhe në tri komuna të tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok e Zveçan – banorët nuk e kanë paguar rrymën që nga paslufta, më 1999.

Refuzimi ka ndodhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.

Ndër vite, shpenzimet e bëra në veri janë paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, ndërsa nga viti 2017 e këndej nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) dhe nga subvencionet e Qeverisë së Kosovës.

Për ta zgjidhur këtë çështje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk u zbatua me vite, derisa dy vendet ranë dakord për një udhërrëfyes për zbatimin e saj në vitin 2022.

Me këtë udhërrëfyes, obligimin për furnizimin dhe faturimin e energjisë elektrike në veri e mori kompania serbe Elektrosever, e cila u pajis me licencë të operimit në Kosovë po atë vit.

Pavarësisht kësaj, gjendja nuk ndryshoi deri më 1 janar të këtij viti, kur KOSTT-i lajmëroi se që nga kjo kohë e këndej “energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit”.

KOSTT-i tha atëkohë se Elektrosever “ka filluar ta marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimit në një komision parlamentar më 26 janar, tha se “mbi 20 mijë fatura janë shpërndarë në veri për konsumin e energjisë gjatë muajit janar”.

Pavarësisht deklaratës së Bislimit, disa qytetarë të anketuar në komunat në veri, thonë se nuk kanë pranuar asnjë faturë.

“Nuk e kemi marrë faturën e energjisë elektrike. Flitet për këtë prej muajsh. Ka lloje të ndryshme informacionesh ose keqinformimesh”, thotë Snezhana Ratkoviq nga Leposaviqi.

Ajo thotë se posedon një matës të vjetër të rrymës dhe se ka dëgjuar se “do të vendosen matës të rinj dhe, pastaj, do të fillojë të paguhet energjia elektrike”.

Faturë nuk mori as Nenadi, qytetar nga Mitrovica e Veriut, rreth 30 kilometra larg Leposaviqit.

“Po presim [matës] të rinj, sepse ka fjalë që do të fillojë faturimi i energjisë elektrike. Nuk ka tjetër informacion në media apo në mesin e njerëzve. Askush [nuk ka pranuar faturë], askush në ndërtesën time”, thotë ai.

Të tjerë qytetarë nga Mitrovica e Veriut thonë, po ashtu, se nuk kanë marrë fatura dhe se nuk kanë informacione në lidhje me pagesën eventuale të rrymës.

Në veriun e Kosovës nuk dihet saktë numri i konsumatorëve të energjisë elektrike.

Qeveria e Kosovës dhe KEDS-i, që është kompania përgjegjëse për furnizim me energji elektrike, i thanë REL’it se, deri më tani, janë regjistruar rreth 20 mijë konsumatorë në bazë të njehsorëve që ekzistojnë atje.

Megjithatë, në atë zonë ka edhe ndërtesa që nuk kanë të instaluar fare matës të energjisë elektrike, ose kanë matës jofunksionalë.

Sipas Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2022, është e paraparë që KEDS-i ta bëjë vendosjen e njehsorëve të rinj në atë zonë.

Kjo kompani tha se pret nga Elektroseveri që “të përpilojë një plan investiv, bashkë me kostot e kërkuara të mirëmbajtjes, të cilat KEDS-i i dorëzon pastaj në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për aprovim”.

Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi, tha se për financimin dhe blerjen e njehsorëve të rinj, ka shprehur interesim Bashkimi Evropian.

BE-ja nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me këtë çështje.

Kush po e paguan aktualisht rrymën në veri?
As Qeveria, as KOSTT-i dhe as Bashkimi Evropian, që ishte ndërmjetësues i Marrëveshjes për Energjinë, nuk iu përgjigjën kësaj pyetje.

Zyra e Rregullatorit për Energjinë (ZRRE) tha se furnizuesi (në këtë rast Elektroseveri) “është i obliguar që t’i faturojë dhe arkëtojë pagesat prej konsumatorëve”.

“Furnizuesi është i detyruar të sigurojë që konsumatorët të jenë të faturuar për energjinë e shpenzuar me llojin e tarifës së dakorduar”, thanë nga ZRRE-ja.

Kjo zyrë, po ashtu, sqaroi se nëse ndonjë nga konsumatorët nuk ka njehsor të energjisë elektrike apo matësi i tij nuk është funksional, atëherë ai do të duhej të nënshkruajë një kontratë për furnizim.

“Dhe, pastaj, KEDS-i duhet t’i instalojë/ndërrojë njehsorët elektrikë, në mënyrë që konsumatorët të kenë matje të shpenzimit të energjisë elektrike”, shpjegoi ZRRE-ja.

Elektroseveri është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije).

Kjo kompani nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me faturimin dhe pagesën e energjisë elektrike në veri të vendit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2010 deri në vitin 2022, për rrymën e shpenzuar në veri janë paguar gjithsej 237 milionë euro (mesatarisht 19 milionë euro në vit).

Kostoja e rrymës është rritur ndjeshëm nga viti 2021, për shkak të rritjes së përgjithshme të çmimeve të energjisë, si pasojë e krizave të ndryshme globale./rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img