Site icon PrishtinaPress

Nuk ndalet Milani, gati transferimi i sulmuesit të Portos

Mehdi Taremi gjithnjë e më pranë Milanit. Kuqezinjtë vijojnë të këmbëngulin për të transferuar në Serinë A sulmuesin 31-vjeçar iranian, teksa së fundi kanë ngritur edhe ofertën për Porton, duke shkuar në 18 milionë euro në total, përfshi edhe bonuset.

Klubi portugez është tunduar jo pak, duke qenë se kontrata e Taremit skadon verën e ardhshme dhe nuk dëshiron ta humbë me parametra zero, ndonëse iraniani është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Conceicaos.

Drejtuesit e Portos kanë marrë kohë deri në mbrëmje dhe pritet të konfirmojnë transferimin e sulmuesit Taremi, i cili nga ana tjetër ka arritur akordin personal me Milanin për të firmosur për tre sezone.

Aktualisht kuqezinjtë kanë vetëm francezin Olivier Giroud si qendërsulmues dhe me iranianin Taremi do të kompletonin repartin e avancuar. Ky i fundit do të ishte jo vetëm një zëvendësues i mirë i Giroud, por edhe një kandidat për të luajtur titullar, pasi ka një eksperiencë të konsiderueshme me Porton dhe me përfaqësuesen iraniane.

Exit mobile version