-2.7 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Nuk luhatet koalicioni

Pavarësisht se një numër deputetësh nga të dy partitë politike të koalicionit qeveritar në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë shfaqur haptas kundërshtime ndaj formës së tanishme të Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, kjo nuk do të çojë deri te luhatja e stabilitetit të koalicionit qeverisës, vlerësojnë zyrtarët e këtyre dy partive politike në pushtet.
Sipas tyre, koalicioni qeverisës është koalicion programor, që përmban një program qeverisës për të cilin janë pajtuar të dyja palët, përveç ndarjes së pushtetit, sipas detyrave kushtetuese.
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe aktualisht kryetar i Komunës së Gjilanit, duke folur për Radion “Evropa e Lirë” ka përkujtuar se koalicioni qeverisës edhe më parë ka pasur dallime, të cilat janë tejkaluar. Një gjë e tillë, sipas tij, pati ndodhur edhe gjatë zbatimit të marrëveshjes politike për detyrën e presidentit, por edhe të votimit të kryeministrit dhe se situatat e tilla janë përballuar.
“Dhe tash jemi në këtë fazë kur vendimi më i vështirë, që pritet të ndodhë, është me 1 shtator, për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Bazuar në marrëdhëniet e mira me Malin e Zi dhe bazuar në punën e komisionit shtetëror, si dhe debatin dhe të gjithë atë që Kosova tashmë po e përballon si proces të ndjeshëm, besoj shumë që deputetët do të jenë unikë dhe si të tillë do të votojnë. Nuk shoh asnjë lëvizje tjetër dhe asnjë pasojë nga ky proces, i cili pritet të ndodhë më 1 shtator”, thotë Haziri.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, aktualisht ministër i Bujqësisë i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se koalicioni qeveritar është mjaft stabil dhe drejtohet nga programi i Qeverisë, i cili është miratuar në fillim të mandatit.
“Ne, si koalicion qeverisës, me të gjithë partnerët, së bashku do të punojmë në zbatimin e këtij programi, sepse e kemi edhe mandatin e qytetarëve për ta bërë një gjë të tillë. Mendimet për çështje të caktuara, mund të jenë të ndryshme, por unë besoj që në fund vendimet do të jenë në interesin e shtetit të Kosovës. Por, gjithsesi, koalicioni do të vazhdojë me stabilitetin e plotë që e ka pasur deri më tash, deri në fund të mandatit”, thotë Krasniqi. Të dy zyrtarët e partive të koalicionit qeverisës vlerësojnë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi nuk do të jetë shkaktare e një plasaritjeje të koalicionit, që do të mund ta çonte vendin eventualisht në zgjedhje të parakohshme.
Haziri thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është e angazhuar që të jetë sa më unike dhe si e tillë të marrë pjesë drejtpërdrejt në proces. “Por, nuk lidhet fati i këtij koalicioni, në asnjë mënyrë, me votimin për procesin e demarkacionit, vetëm sepse është njëri nga vendimet e vështira. Kosova do të përballet edhe me vendime tjera të vështira, por për pasojë do të kenë përfitime qytetarët e saj”.
“Është procesi i liberalizimit të vizave që pritet të rekomandohet nga Parlamenti Evropian, në shtator; është procesi tashmë në themelim e sipër i Gjykatës Speciale; si dhe më i vështiri ka me qenë procesi i demarkacionit me Republikën e Serbisë në të ardhmen. Kështu që e shohim se duhet parë një fotografi më të gjerë për krejt këto zhvillime në Kosovë”, thotë Haziri.
Ndërkaq, Krasniqi thotë se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, nuk do të jenë të parakohshme, por të rregullta, në vjeshtën e vitit 2018. “Absolutisht, ne nuk parashohim në asnjë rrethanë që të ketë zgjedhje të parakohshme, tash për tash, sepse mandati qytetar është i qartë dhe i plotë. Po ashtu koalicioni ka stabilitet dhe ka më shumë se dy të tretat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, thotë Krasniqi. Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, ditë më parë, kanë paralajmëruar se ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi varet vetëm nga presionet që mund t’iu bëhen disa deputetëve, në të kundërtën Qeveria aktualisht nuk i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë proces. (REL)

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img