Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka thënë se në sulmin e vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ky institucion ka pasur një qëllim: zotërimin e fshatit.
Ai duke folur në dokumentarin “Banjska – fushëbeteja e një lufte”, për emisionin MAT, ka treguar se kanë provuar që përmes priftërinjve të manastirit të binin në kontakt me terroristët.
“Ne kemi tentuar të komunikojmë me priftin në manastir në mënyrë që nëse ka të plagosur, të lënduar, persona që dëshirojnë të largohen nga aty të largohem, edhe për dorëzim, mirëpo e kemi parë që nuk ka komunikim me grupin e armatosur në atë aspekt, pikë, kështu që, jo ata nuk janë lënë të lirë. Ne kemi kryer punët tona siç kemi pasë mundësi më së miri, konsiderojmë që në fund ka dalë me benefit se qëllimi ka qenë jo më i vra krejt ata, nuk kemi pasë qëllim ta vrasim asnjë, qëllim ka qenë ta marrim territorin, atë zonë që ka qenë me njerëz të armatosur, të lëndum mos të ketë që s’ka pas hiç, as dëme anësore aspak”, ka deklaruar Elshani.
Se vrasja nuk synimi primar në operacione si ai i Banjskës, e ka thotë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Çka është shumë e rëndësishme për tu kuptuar është që në asnjë operacion ushtarak a policor nuk është qëllim vrasja, qëllim është mposhtja dhe policia me vrasjen e tre krimineleve dhe terroristëve ka arritur të mposhtë komplet grupin. Janë detyruar që të tërhiqen në Serbi. Është arritur objektivi kryesor I policisë atë ditë që të rikthej gjendjen në normalitet në veri të vendit”.
“Qëllimi nuk është vrasja, ka qenë mposhtja e grupit, që të vendoset situata nën kontroll”, thekson ai.
Ish-komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, Fadil Hadërgjonaj, thekson se para synimit për vrasje, ka lëvizje tjera operative e të cilat i ka aplikuar Policia e Kosovës.
“Fillimisht neutralizimi, dobësimi apo dobësimi i efikasitetit luftarak dhe natyrisht zvogëlimi i aftësisë luftarake si dhe vullnetit për të luftuar. Kështu që jo gjithherë do të duhej, jo gjithherë planifikohet që të gjithë të vriten. Është neutralizimi aty ku shfaq rrezik potencial për operatorët tanë apo për policinë tonë, natyrisht që s’ka mëshirë, vritet, por edhe arrestohen”.