Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, as në takimin e sotëm nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje mes këtyre dy subjekteve politike.
Dështimin në arritjen e marrëveshjes e kanë konfirmuar pas takimit Kurti-Mustafa, Glauk Konjufca i LVV-së dhe Avdullah Hoti i LDK-së, raporton Telegrafi.
E tëra që kanë thënë ata para gazetarëve, ka qenë se në takimin e sontëm nuk është arritur marrëveshja dhe se do të vazhdojnë takimet.
“Nuk është përfunduar ende. Nuk kemi ardhur deri te një konkludim. Jemi pajtuar që duhet të vazhdojmë ende deri në arritjen e marrëveshjes”, ka thënë anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti.
“Krejt çka mund të them për sonte, është që nuk pati marrëveshje. Krejt çka mund të them është se do të shohim në ditët e ardhshme si do të veprojmë”, ka thënë nënkryetari i LVV, Glauk Konjufca.
Marrëveshja nuk është arritur as pas pothuaj dy muajve bisedimesh e harmonizimi qëndrimesh, ku dy subjektet u pajtuan për të gjitha çështjet lidhur me programin qeverisës.
Takimi i sontëm i krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, ka zgjatur më tepër se dy orë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, por në fund ka rezultuar i pasuksesshëm.
Ndryshe, kryesitë e dy partive sot kanë mbajtur takime pikërisht për çështjen e arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje pas mbledhjes së kryesisë ka thënë se nuk është asgjë e sigurtë që do të arrihet marrëveshja me LDK-në. Përderisa Besian Mustafa nga LDK, pas mbledhjes se kryesisë ka thënë se kanë përafrime me Vetëvendosjen.
Takimit të Kryesisë së LDK-së i ka paraprirë edhe një përplasje në mes dy nënkryetarëve të këtij subjekti politik, Agim Veliut dhe Vjosa Osmanit, lidhur me një fotografi të përbashkët të Vjosa Osmanit me liderin e LVV-së, Albin Kurtin, të premten gjatë regjistrimit të tyre si deputetë, në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit dy partitë më të votuara janë Lëvizja Vetëvendosje me 26.270% të votave dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.548% të votave.
Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi ka thirrur për datën 26 dhjetor seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.