Site icon PrishtinaPress

Nuk janë vetëm pagat, ja cilat janë arsyet pse mjekët po ikin nga Kosova

Megjithëse iu rriten pagat, trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova po vazhdon. Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu, në një intervistë për “Indeksonline”-n thotë se edhe këtë vit, është trendi i njëjtë i ikjes së mjekëve.

Ndërsa thotë se pas liberalizimit të vizave, numri i mjekëve të cilët do të ikin nga Kosova do të rritet, pasi që shumë nga ta, po e presin janarin.

“ Është përafërsisht i njëjti trend. Është e vërtetë që gjatë verës pak është ndalur hovi dhe tani i kemi rreth 150, që e kanë marrë dokumentin. Vitin e kaluar kanë qenë rreth 200. Këtë vit po ashtu, është një trend i njëjtë nuk ka ndonjë faktor që ka ndikuar diçka që ka ra. Plus që një pjesë e madhe e tyre, sa kemi vërejtur, është që kanë deklaruar se po e presin liberalizimin, sepse do të jetë shumë më i lehtë qarkullimi dhe kontakti i drejtpërdrejtë i punëdhënësit atje….. Ai është një faktor që mund të rrisë numrin për vitin e ardhshëm.. Kështu që me rëndësi është se trendi përafërsisht është i njëjtë…”, tha ai.

Ndërsa thotë se gjendja është alarmante, sa i përket mungesës së mjekëve.

“Ne kemi ngritur alarmin tashmë disa vjet. Sepse vetëm këtë vit mund të bëjmë një llogari shumë të thjeshtë. Këtë vit 92 vetë kanë dalë në pension.10 kanë vdekur janë 102 dhe mbi 150 presin të shkojnë deri në fund të vitit. I ke menjëherë një numër prej 250 vetash minus këtë vit…Janë dy faktorë, një që në vit ne i kemi minus 100 mjekë, kur shohim vdekjet, pensionimet dhe largimet në sektorin privat. Dhe kemi dy çështje që nuk mund të kuptohen. Një ndërlidhet me atë se kemi mbi 300 mjekë të papunë. Janë këta që po largohen. Dhe i gjithë ky korpus ata që do të ata duhej të punonin në shtëpitë e shëndetit, në mjekësinë primare. Atje kemi vende të zbrazëta, duke pasur parasysh që janë të mbyllura plot punkte shëndetësore, familjare. Ka plot që punojnë me infermiere dhe nuk i punësojnë. Një prej arsye është dhe papunësia që largohen”, tha ai.

Sipas Sejdiut nuk është vetëm paga, arsye pse mjekët po e braktisin Kosovën. Sipas tij mjekët e rinj nuk shohin perspektivë në Kosovë.

“Paga është e treta. Është faktori i tretë, që ndikon në largimin e tyre. E para është papunësia. E dyta është cilësia dhe kushtet e punës. Cilësia e specializimeve dhe kushtet e punës. Dhe e treta është paga. Por kur të mblidhen të gjitha, me bisedat që ne i kemi me ta është perspektiva. Ajo e cila gjeneratat e reja që mund të largohen, nuk shohin perspektivë në mjekësi në Kosovë. E dinë fare mirë që kjo me vite nuk do të ndërrohet me siguri”, ka thënë Sejdiu.

Exit mobile version